Kur dëgjoja vendimin për liberalizimin e vizave, pata dy emocione mikste, që reflektojne edhe dy tiparet kryesore të kësaj ngjarjeje: e para sigurisht është emocioni i fortë, që lidhet me të shkuarën e të qenit komuniteti më i izoluar në Europë, ndërkohë që kemi qenë të dëshiruar të udhëtojmë. Kujtova se si ne si shtet, dënonim me 14 vjet burg e deri në pushkatim, dikë që kërkonte të kalonte kufirin apo i binim shkurt dhe e vrisnim në kufi. Gjithë kjo aventurë e jona, në luftë me vetveten sesa të tjerër, sigurisht që sot ngjall emocione të forta dhe është fundi i një epoke.
Tipari i dytë është përgjegjësia. Të mësuar 50 vjet me pasjen e një kujdestari mbi kokën tonë që mendonte për gjithcka, pas ndryshimit të regjimit, jemi karakterizuar nga papergjegjshmëria kolektive. Nuk ndjenim dhimbje e përgjëgjësi për pronën dhe komunitetin, për mjedisin dhe higjienën. Gjithcka fillonte e mbaronte tek dera e apartamentit tonë. Papërgjegjshmëria sigurisht arrin nivele emblematike në majë, aty ku na qeverisin. Papërgjegjshmëria vazhdon edhe për çështjen e vizave, e cila po përdoret, nga makina e propagandës, duke lënë në plan të dytë, kushtet dhe detyrimet e forta që ajo ka. Edhe në këtë moment historik, shqiptarëve u duhet të marrin fatet vetë në duart e tyre. Të respektojnë kushtet serioze të lëvizjes së lirë. Vetëm ata e kanë në dorë të mos ketë një rikthim të këtij vendimi nga ana e BE. Politikanët do ti kenë gjithsesi pasaportat e tyre diplomatike. Pra eshtë një sfidë e madhe e jona si komb. Le ta marrim si të tillë, pasi të na kalojë gëzimi i momentit të parë.
Sokol Balla