Politikanët nxitojnë të japin deklaratat e tyre lidhur me liberalizimin e vizave. Për nga rëndësia, dikush e quan ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët, një tjetër të dytën apo të tretën…
“Liberalizimi i vizave përbën një akt madhor besimi të vendeve të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë”, tha sot Kryeministri Sali Berisha, ndërsa garantoi të gjitha vendet anëtare të BE-së se “autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë besim si një përgjegjësi të madhe për të bashkëpunuar ngushtë me këto vende në këtë proces”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha e cilësoi liberalizimin e vizave si mrekullinë e dytë për shqiptarët, pas anëtarësimit në NATO. Në rrafshin e lirive individuale, sipas Berishës, “kjo është arritja më madhore pas shembjes së perdes së hekurt”.
Edhe kryetari i opozitës Edi Rama përshëndeti shqiptarët për ditën historike. “Është plotësuar një ëndërr për të cilën ky vend ka përshkuar rrugëtime me plot sakrifica dhe viktima. Sot u shembën muret e vizave për të gjithë qytetarët, është ora për të gëzuar dhe për të lënë pas polemikat dhe replikat”, tha Rama.
Sipas tij, sot politika duhet të bëjë një hap prapa dhe t’i lërë mundësinë qytetarëve që ta shijojnë këtë ditë të pashqetësuar nga propaganda. Sot Rama i bëri homazh të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët për ëndrrën e kapërcimit të kufirit humbën jetën në det apo tokë.
Ndërsa Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se liberalizimi i vizave është ngjarja e tretë historike më e madhe për Shqipërinë, pas pavarësisë dhe rrëzimit të komunizmit.”Dita e sotme erdhi si rezultat i mjaft proceseve të një evolucioni të thellë që ka të bëjë me jetën e institucioneve të Shqipërisë, por edhe me maturimin e shoqërisë shqiptare ndër vite”, tha presidenti. Ai kërkoi që në të ardhmen të punohet më shumë dhe me seriozitet për rrugën e Shqipërisë drejt familjes evropiane.
Presidenti Topi tha gjithashtu se “Dita e sotme të na japë shansin të rrisim sensin e mirëkuptimit, dialogut dhe sot të jetë një ditë feste, ndërsa nesër duhet t’i kthehemi përgjegjësive. Partitë politike, institucionet duhet të japin një shembull për qytetarët që të respektojnë liberalizimin, të respektojnë rregullat dhe korrektësinë sepse vetëm kështu do të kemi më shumë premisa për ecurinë e Shqipërisë”.
Lexo edhe: Liberalizimi i vizave është realitet
Mes arritjes dhe “nderit” të heqjes së vizave