Ministri Tahiri në Romë, për të biseduar me holmologun e tij italian Alfano për përforcimin e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit
Romë, 2 dhjetor 2014 – “Shqipëria ka një rol të rëndësishëm e ka hedhur hapa të rëndësishëm në rrugën drejt Evropës”. Kështu ka komentuar në profilin e tij Facebook ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano takimin që ka pasur dje në mesditë në Romë me homologun shqiptar Saimir Tahiri.
“Ministri Tahiri u tregua shumë i gatshëm” shkruan Alfano, që ka mbajtur takime edhe me ministrin e brendshëm serb e atë të Maqedonisë mbi “zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike”, “tema të rëndësishme dhe delikate”.
Takimi i djeshëm i dy ministrave – Tahiri shoqërohet edhe nga drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Artan Didi – vjen pas atij të zhvilluar në qershor të këtij viti, pak përpara nisjes së operacionit kombëtar antikanabis. Biseda e tyre është përqendruar mbi luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar, përfshirë dukurinë e foreign fighter (qytetarë të vendeve të ndryshme të Evropës po shkojnë të luftojnë në Siri), dhe ndaj trafiqeve të paligjshme.
Ministri Tahiri ka informuar homologun italian në mënyrë të detajuar për rezultatet e operacionit falë të cilit u asgjësuan mbi 500 mijë rrënjë bimë narkotike dhe mbi 100 tonë hashash, dhe e ka falënderuar për ndihmën e rëndësishme që dha shteti Italian në këtë operacion, nëpërmjet mbështetjes me avionët e Guardia di Finanza.
“Mbi 7 miliardë Euro ishte vlera e drogës që u shkatërrua këtë vit nga Policia Shqiptare dhe që nëse nuk do të ishte kapur do të përfundonte në rrugët dhe shkollat e Italisë”, është shprehur ministri Tahiri.
Ai ka informuar Alfanon edhe për angazhimin serioz të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Ai ka theksuar se tashmë në Policinë e Shtetit është krijuar një drejtori e posaçme me rreth 100 specialistë që do të merren me çështjet e luftës kundër terrorizmit, nga 8 që ishin për këtë sektor. Por në këtë drejtim, Tahiri ka theksuar se “është e nevojshme një qasje rajonale dhe europiane” me problemin.
Alfano ka shprehur vlerësim për përpjekjet e Shqipërisë për të çuar përpara reforma strukturore për përmirësimin e zbatueshmërisë së ligjit në Shqipëri, veçanërisht për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e trafikut të drogës.
Ministrat kanë rënë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin mes forcave të policisë kryesisht në shkëmbimin e informacioneve dhe për një bashkëpunim të ri mes agjencive përkatëse kombëtare për administrimin e pronave të sekuestruara organizatave kriminale.
Bashkë me Alfanon, sot ministrat e brendshëm të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës kanë marrë pjesë në mbledhjen përuruese të projektit IPA Balcani që u mbajt në Romë në Shkollën e Lartë të Policisë. I financuar nga Komisioni Evropian me 5 milionë euro, projekti ka për qëllim përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë e organeve të drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër organizatave kriminale dhe parandalimin e korrupsionit.