“Imigrantët mund të kenë të drejtat që duan, por jo të drejtën e votës. Sa të jem unë ministër, imigrantët s’kanë për ta pasur këtë të drejtë”. Kjo deklaratë është bërë ditën e shtunë (13 nëntor) nga ministri i Brendshëm Roberto Maroni, teksa komentonte përleshjet në qytetin e Brescias mes forcave të rendit dhe një grupi që manifestonte në mbështetje të imigrantëve.
Eksponenti i Lidhjes së veriut, duke harruar që nuk është kompetencë e tij, por e Parlamentit t’i njohë apo jo imigrantëve të drejtën e votës, në deklaratën e tij përmbledh qëndrimin real të forcave në pushtet ndaj imigracionit. Qëndrim krejt i kundërt nga ai i Finit, që edhe mbi këto çështje dallohet nga tashmë ish aleatët e tij. Temë që po bëhet gjithnjë e më shumë një fushë beteje, duke lënë jashtë vetë subjektet e interesuara.