Vite hetimesh çojnë në arrestimin dhe paditjen e dhjetëra shqiptarëve. Nga 2011, duhet të kenë siguruar rreth 10 milionë euro xhiro nga trafiku i drogës
Romë, 4 prill 2015 – Një rrjet i gjerë kriminal i përbërë nga shqiptarë dhe i specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës është shkatërruar ditët e fundit nga një operacion i gjerë i drejtuar nga karabinierët e Udines në gjashtë krahina të Italisë.
Hetimet kanë nisur në tetor të vitit 2011, dhe që atëherë janë arrestuar e ndaluar 30 vetë, 24 janë paditur në gjendje të lirë, janë bërë 17 kontrolle banesash, janë sekuestruar 11 kg kokainë dhe 46.500 euro.
Sipas karabinierëve, janë kapur edhe krerët e organizatës kriminale që janë Bashkim Popa, 39 vjeç, Ermal Shaba, 27, të dy rezidentë në Villafranca Padovana dhe Arian Shkurti 37 vjeç, resident në Brescia.
Nga vitet e hetimeve është vërejtur se droga sillej nga Hollanda dhe shpërndahej në Itali, kryesisht në verilindje, por sasi të konsiderueshme çoheshin edhe në Shqipëri e Maqedoni. Vitet e trafikut të drogës duhet t’i kenë siguruar bandës një xhiro prej rreth 10 milionë eurosh.