in

Mëse 30.700 shqiptarë me biznes në Itali. 76% në sektorin e ndërtimeve

Ndër 335.447 të huajt jokomunitarë që kanë një aktivitet privat në Itali, shqiptarët renditen të tretët, pas marokenëve dhe kinezëve. Në fund të vitit 2014, ndërmarrjet e shqiptarëve janë 327 më shumë se një vit më parë

Romë, 12 prill 2015 – Ndoshta për faj të krizës kur është e vështirë të punësohesh diku, ndoshta falë prirjes për të punuar më vete, fakt është që numri i bizneseve individuale me titullarë shqiptarë në veçanti dhe të huaj në përgjithësi shtohen nga viti në vit. E kundërta është e vërtetë për italianët. Në këtë përfundim arrin Unioncamere duke analizuar regjistrat e Dhomave të Tregtisë.

E  thënë në shifra, në fund të vitit 2014 numërohen 335.447 biznese individuale me titullar një të huaj, 19.733 më shumë se një vit më parë. Bizneset e shqiptarëve kanë arritur në 30.703 dhe në një vit janë shtuar me 327.

Ndër komunitetet e të huajve, shqiptarët renditen të tretët për numër biznesesh, pas marokenëve (me 64.300 sipërmarrje) dhe kinezëve (47.020).

Sektori që sheh përqendrimin më të lartë të sipërmarrjeve të shqiptarëve, mbi 75%, dhe ku ata renditen të parët mes jokomunitarëve, mbetet ndërtimi, në të cilin punojnë 23.296 shqiptarë. Përsa u përket sektorëve të tjerë ku shqiptarët renditen ndër pesë komunitetet e para për numër sipërmarrjesh, rezulton që 1.140 shqiptarë kanë bizneset e tyre në industri, 1.049 në hoteleri e turizëm, 588 në bujqësi e peshkim, 560 në transport e magazinim, 1.604 në agjenci udhëtimesh, shërbimesh për ndërmarrjet dhe shërbime të tjera.

 

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Torino. Trafik kokaine e parash të falsifikuara. Arrestohen dy persona

“Convivio di Occhio Blu” sjell në Romë Visar Zhitin