Përgjegjësi i trenit ofendon dy nigerianë që hipin me biletë të regullt në tren. Dënohet me 4 muaj heqje lirie
Romë, 19 nëntor 2010 – I kanë kushtuar shtrenjtë sharjet raciste një përgjegjësi treni, 56-vjeçarit Giuseppe Cannizzaro. Gjykatësi për hetimet paraprake në Padova Paola Cameran e dënoi me katër muaj burg në bazë të nenit 3 paragrafi 1 germa a) e ligjit 654/1975 për diskriminim me sfond racist.
Në nëntor të vitit të kaluar, punonjësi i Hekurudhave të Shtetit kishte sharë dy pasagjerë nigerianë që kishin hipur në Padova. Megjithëse ishin të pajisur me biletë, të rregullt dhe të vulosur në stacion, dy personat janë detyruar të zbresin nga treni. Giuseppe Cannizzaro kishte ngulur këmbë se “pa hedhur përjashta këta të zinjtë, nuk e nis trenin” dhe “Ju të zinjtë në tren nuk hipni”.
Por pa humbur kohë, dy nigerianët kanë paditur rastin pranë Polfer, Policia Hekurudhore. Dosja ka arritur në prokurori dhe të mërkurën, më 18 nëntor, përgjegjësi i trenit është dënuar që në seancën paragjykimore me sentencë të negociuar mes palëve duke përfituar dënimin më të ulët, vetëm 4 muaj heqje lirie.