in

Ferri i Padernos: Ndërron jetë Harun Zeqiri

Haruni është tashmë viktima e dytë ndër shtatë të plagosurit e shpërthimit të Padernos. Pak ditë më parë u nda nga jeta edhe një tjetër i lënduar, Sergio Scapolan. Rrezikojnë jetën edhe Leonard  Shehu dhe Salvatore Catalano

Romë 21 nëntor 2010 – Shpërthimi në Paderno Dugnano i 4 nëntorit numëron tashmë viktimën e dytë: në spitalin CTO të Torinos, më 20 nëntor ka humbur jetën 44-vjeçari shqiptar Harun Zeqiri, që kishte marrë djegie të rënda në mbi 70% të trupit.

Haruni ishte nga Peqini dhe lë pas gruan dy vajza nga 22 dhe 22 vjeç dhe djalin 18 vjeç. Në Itali kishte ardhur në vitin 1992 për të siguruar të ardhurat e mjaftueshme për të mbajtur familjen e tij. Ndërkohë kishte martuar dy vajzat në Shqipëri dhe tani kish nisur edhe praktikën e bashkimit familjar me të shoqen që mes lotëve tregon: “Nuk e kisha parë prej dy vjetësh: thoshte se do të vinte këtë vit për Vitin e Ri e pastaj do të më merrte me vete që të jetoja edhe unë këtu me të”. Por fati deshi që pas aksidentit e shoqja të bënte të pamundurën për të ardhur e për të ndenjur pranë të shoqit në spital. Arriti më në fund të vijë, por për ta marrë e për ta çuar në Peqin, të pajetë.

Haruni punonte në Paderno prej shtatë vjetësh, ishte i zoti në punë dhe me fizik të fortë. Të gjithë mendonin se do t’ia dilte mbanë. Kolegët e tij nuk arrijnë të heqin nga mendja imazhin e tij ditën e shpërthimit teksa dilte vetë nga ferri i mbuluar nga flakët. U çua menjëherë në Torino, ku e mbajtën në koma farmakologjike dhe iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Por megjithatë nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes.

Sot bashkë me të afërmit e miqtë e tjerë e qan edhe Adriani nipi i tij që është edhe titullar i Tnl-es, kooperativës që ofronte krahun e punës për impiantin Eureco, për të cilën punonin pesë shqiptarët që u lënduan.

Ndër shtatë të lënduarit, janë ende në rrezik për jetën edhe dy punëtorë të tjerë, 37-vjeçari Leonard Shehu dhe 55-vjeçari Salvatore Catalano.

Lexo edhe: Përtej xhamit

Shpërthimi i Padernos

Një pengesë më shumë për kartën e qëndrimit

Informacion dhe Identitet në Parma