in

Sekuestrim konservativ për Taçi Oil. Nga Italia i kërkojnë 2,3 milionë euro

“Infront Italy”, që ishte ndërmjetësi i Taçi Oil në diskutimet për sponsorizimin e ekipit të Milanit, kërkon pagimin e detyrimit dhe shpenzimeve të tjera

Ambiciet e Rezart Taçit për të pasur një vend nderi në futbollin Italian rreth katër vjet më parë, i kanë hapur jo pak telashe atij dhe kompanisë së tij, Taçi Oil, që deri dy vjet më parë ishte një nga aktorët kryesorë të tregut të naftës.

Krahas problemeve në tregun e brendshëm, Taçi Oil duhet të përballet dhe me kërkesat për pagesën e milionave euro tek partnerët italinë të dikurshëm. Lajmin e jep gazeta shqiptare Monitor.

Shoqëria përmbarimore “Strati Bailiff`s Service” sh.p.k, ka kërkuar vendosjen e masës së sekuestrimit konservativ mbi aktivet e regjistruara te palës debitore, shoqëria “Taçi Oil International Trading & Supply Company”. Kërkesa është bërë në Gjykatë në 22 prill 2015 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pak ditë më parë, në 7 maj.

Sipas shkresës së drejtuar QKR-së dhe për dijeni kompanisë, urdhri për sekuestrim konservativ është marrë pasi shoqëria “Taçi Oil International Trading & Supply Company”, sipas një vendimi të Gjykatës së Milanos (datë 21.08.2013), i njohur dhe nga Gjykata Shqiptare duhet t’i paguajë shoqërisë “Infront Italy” srl shumën prej 2,3 milionë euro si dhe shpenzime të tjera për procedurë dhe interesa. Kompania Infront Italy, sipas faqes së saj në internet është lider në marketingun ndërkombëtar sportiv.

Ndërkohë, “Taçi Oil International Trading & Supply Company” rezulton në QKR me status të pezulluar, me kërkesë të saj, që nga dhjetori i vitit 2014.

Kur Taçi donte të bëhej sponsor i Milanit

Emri i Rezart Taçit dhe presidentit të kompanisë Infront, që sot kërkon kthimin e borxhit, shfaqen në mediat italiane pak vjet më parë, në 2011-n, kur A.C. Milan dhe Rezart Taçi, që në atë kohë cilësohej nga mediat italiane si “president i kompanisë më të madhe të naftës në Shqipëri”, nënshkruan një marrëveshje sponsorizimi me A.C. Milan për sezonin 2011-2012, në cilësinë e Premium Sponsor.

Kjo marrëveshje e rëndësishme, sipas mediave italiane, e arritur në sajë të ndërmjetësimit të Infront, këshilltari zyrtar që përkrah skuadrën në kërkimin, seleksonimin dhe administrimin e sponsorve, u zyrtarizua në selinë e Milan në prani të Adriano Galliani, zëvendës president i Klubit, Rezart Taçi, President i Taçi Oil dhe Marco Bogarelli, President i Infront Italy.

Taçi Oil, dështimin më i madh i sektorit të naftës

Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, Rezart Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj. Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar. Pamundësitë për të shlyer në kohë kreditë cuan në një varg sekuestrosh që sollën edhe falimentin e grupit.

Gazeta Monitor

Zjarri në traget. “Tymi shihej prej bregut, pasagjerët patën shumë frikë”

Karta Blu Evropiane. Më e lehtë ardhja në Itali e punonjësve me kualifikim të lartë