in

Sondazhi: “Të rinjtë janë më të painformuarit mbi lëvizjen pa viza”

Në mes të muajit tetor Instituti EUNACAL me seli në Tiranë ka kryer një anketim që ndër të tjerat përfshin edhe perceptimin që kanë qytetarët shqiptarë mbi politikat publike në Shqipëri. Një vend të veçantë e kanë zënë temat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Ky Institut, është i angazhuar në programe, projekte dhe veprimtari të përbashkëta, në bashkëpunim me aktorët e shoqërisë civile që veprojnë në Shqipëri, në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në Turqi dhe në BE.

Në tetor 2010 Instituti EUNACAL në kuadër të nismës Ligjërimi Politik 2.0 realizoi një sondazh i cili ka pasur për qëllim matjen e perceptimit të qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve mbi implikimet potenciale që ka në bërjen e politikave publike në Shqipëri, aspirata e aderimit të Shqipërisë në BE dhe për matjen e gatishmërisë së tyre ndaj përdorimit të teknologjive web 2.0 si platforma të decentralizuara të ligjërimit politik.

Nga 12 deri në 18 tetor 2010 pyetësori i sondazhit u plotësua nga 2.414 persona të moshës 15 – 49 vjeç, ndër të cilët 2.271 persona banorë të zonave urbane dhe 143 persona banorë të zonave rurale. Sipas drejtorit të institutit, Alban Nelaj, meqenëse të numri i të intervistuarve të zonave rurale është i pamjaftueshëm për të bërë përgjithësime, rezultatet e sondazhit trajtojnë kryesisht prirjet e banorëve të zonave urbane. Prirjet e banorëve të zonave urbane analizohen vetëm në rastet e shqyrtimit nën optikën e një qasje krahasuese urban vs. rural.

Pyetësori i sondazhit ka matur prirjet e qytetarëve shqiptarë ndaj çështjeve të tilla si:
– Perceptimet ndaj Bashkimit Europian dhe aderimit të Shqipërisë
– Pritshmërinë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE
– Perceptimi mbi ritmin e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimin në BE
– Perceptimi mbi sfidat e biznesit shqiptar gjatë dhe pas procesit të anëtarësimit të vendit në BE
– Perceptimi mbi sfidat e të rinjve shqiptarë gjatë dhe pas procesit të anëtarësimit të vendit në BE
– Vetëvlerësimet e qytetarëve mbi informacionin e përvetësuar në lidhje me udhëtimin dhe qëndrimin afatshkurtër pa viza në vendet e zonës Shengen
– Eksperienca me udhëtime të mëparshme në vendet e zonës Shengen
– Synimi për të vizituar një vend të zonës Shengen në 6 muajt në vijim
– Motivet e vizitimit të një vendi të zonës Shengen në 6 muajt në vijim
– Synimi për t’u larguar nga Shqipëria në rast të sigurimit të një vendi pune në një nga vendet e BE
– Teknologjitë web 2.0 që përdoren nga qytetarët shqiptarë
– Shpeshtësia e përdorimit të teknologjive web 2.0
– Motivet e përdorimit të teknologjive web 2.0
– Aftësia e qytetarëve në përdorimit të teknologjive web 2.0 (Blogje, YouTube, Twitter, Facebook, Wikipedia, Skype etj)
– Pjesëmarrja e qytetarëve në mbledhjet e këshillave bashkiakë/të komunës
– Të ndierit pjesëmarrës në politikë-bërjen e pushtetit vendor
– Të ndierit pjesëmarrës në politikë-bërjen e pushtetit qendror
– Pritshmërinë ndaj  përdorimit të teknologjive web 2.0 për ligjërim politik me politikë-bërësit e pushtetit vendor
– Pritshmërinë ndaj përdorimit të teknologjive web 2.0 për ligjërim politik me politikë-bërësit e pushtetit qendror
– Pritshmërinë ndaj  ndikimit të politikë-bërësve/politikanëve përmes përdorimit të teknologjive web 2.0 për ligjërim politik
– Profili i vlerave i qytetarëve (qëndrimi ndaj eutanazisë, dënimit me vdekje, të drejtës së homoseksualëve për t’u martuar, të drejtës së homoseksualëve për të birësuar fëmijë, seksit paramartesor dhe  klonimit)

10 përfundimet kyçe të nxjerra nga ky sondazh janë:
1. 87% e të intervistuarve mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është diçka pozitive
2. 40% e të intervistuarve janë të pakënaqur me ritmin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, përkundrejt 30 % që janë të kënaqur me ritmin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE
3. Pjesa dërrmuese e të intervistuarve e shohin anëtarësimin e vendit në BE si diçka që do të ndikojë në përmirësimin e jetesës në Shqipëri dhe jo si një mundësi për shqiptarët që të largohen nga Shqipëria për të jetuar e punuar në një vend tjetër të BE
4. Të rinjtë e grupmoshës 18 – 29 vjeç rezultojnë të jenë më të painformuarit mbi rregullat e udhëtimit & qëndrimit afatshkurtër pa viza
5. Banorët e zonave rurale janë më të painformuar mbi rregullat e udhëtimit & qëndrimit afatshkurtër pa viza
6. Ka një prirje për dyfishim të numrit të qytetarëve shqiptarë që do lëvizin drejt vendeve të zonës Shengen, krahasuar me lëvizjet e 6 muajve të fundit
7. Për gjysmën e tyre kjo do jetë hera e parë që udhëtojnë drejt vendeve të zonës Shengen
8. 44% e tyre do të udhëtojnë për të takuar të afërmit, 34% për turizëm, 9% për biznes, 8% për studime dhe 4 % për të kërkuar punë
9. Ekziston një prirje e lehtë e të rinjve shqiptarë për të udhëtuar drejt vendeve të BE për të kërkuar punë dhe një prirje e fortë për t’u larguar nga Shqipëria në rast të sigurimit të punës në një nga vendet e BE. Kjo është më e theksuar për të rinjtë e zonave rurale
10. 70% e të intervistuarve nuk ndihen të përfshirë në politikë-bërjen e pushtetit vendor dhe 76% nuk ndihen të përfshirë në politikë-bërjen e pushtetit qendror

(vijon intervista me drejtorin e ekzekutiv të Institutit, Alban Nelajn)

Lexo edhe: Liberalizimi i vizave është realitet

Sanatore për të gjithë? Qeveria vendos të shqyrtojë këtë mundësi

Bamir Topi: “Dedikoj Çmimin e Paqes të gjithë shqiptarëve në Itali”