Erion Veliaj pohon fitoren e thellë të AShE-së: ”Qytetarët i dhanë fitoren AShE-së në 46 nga 61 bashki të Shqipërisë”
Tiranë, 23 qershor 2015 – Ndërsa mungojnë vetëm pak kuti për të numëruar, me mëse 40 mijë vota mbi kundërshtarin e tij kryesor, Erion Veliaj, kryebashkiaku i ri i Tiranës ka bërë sot deklaratën e parë paszgjedhore. nga selia e PS-së, i rrethuar nga përfaqësues të së majtës, simpatizantë e qytetarë të Tiranës.
“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, për Partinë Socialiste, për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për të gjithë ata që u bashkuan në Aleancën tonë për Shqipërinë Europiane, pasi na ngarkuan me përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës” u shpreh ai.
Ai falenderoi për bashkëpunimin në fushatë veprimtarët dhe aktivistët e PS-së, por dhe të forcave të tjera aleate në këto zgjedhje, LSI, PDIU, që “i trajtuan zgjedhjet si një garë të përbashkët për AShE-në”.
Një vlerësim të veçantë në fjalën e tij, Erion Veliaj rezervoi dhe për kandidatin demokrat, Halim Kosova, por dhe katër kandidatët e pavarur, të cilët tha ai, të mos ndihen humbës, por kontribues të ndryshimit të Tiranës.
“Meritat për zgjedhje të lira e të ndershme këtu në Tiranë nuk janë vetëm tonat, pasi meritë për këtë ka dhe kundërshtari ynë doktor Halim Kosova, i cili meriton gjithë respektin tonë, në përpjekjet që ai bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij; për t’u ndarë nga kultura e shpifjes dhe e përgojimeve”, u shpreh Veliaj.
Një falënderim të veçantë ai e drejtoi dhe për kandidatët e pavarur në garën e Tiranës, të cilët i ftoi “të mos ndihen humbës, por kontribues të ndryshimit të Tiranës”. “Ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë dhe për këtë mezi pres bashkëpunimin tuaj”, ishte mesazhi i kryebashkiakut të ri të Tiranës, për rivalët e tij në garën e 21 qershorit.
Veliaj është i pari nga koalicioni i majtë që flet hapur për fitore të pastër në të gjithë Shqipërinë: “Fitorja në 46 bashki, nga 61 që ka vendi, është më mbresëlënësja e viteve të fundit nga socialistët dhe progresistët. “Me këtë fitore shumica e shqiptarëve vendosi ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe për këtë u jemi jashtëzakonisht mirënjohës e të përulur”, u shpreh Veliaj
“Falenderoj nga zemra kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta, për mbështetjen dhe inkurajimin konstant për këtë fitore të aleancës sonë”, u shpreh Veliaj, duke falenderuar mes të tjerëve dhe Pandeli Majkon, Saimir Tahirin, etj.