in

Dhjetë urdhërarreste për familjen italo-shqiptare, celulë ISIS në Itali

 
Arrestohen tre italianë e dy shqiptarë të akuzuar për lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. Prokuroria e Milanos: “Ishin të vendosur të shkonin për xhihad në Siri”

Romë, 2 korrik 2015 – Gjithçka nisi me një martesë, e pikërisht kështu, në gjuhën shqipe, prokuroria e Milanos ka quajtur operacionin që solli lëshimin e dhjetë urdhërarrresteve. Të gjithë akuzohen për terrorizëm në mbështetje të shtetit islamik ISIS.

Urdhërarrestet janë për 4 italianë e 5 shqiptarë, dy familje të lidhura nga krushqia, dhe për një kanadeze që ka luajtur rolin e ndërmjetësueses. Pesë persona janë arrestuar të mërkurën më 1 korrik, 4 në Itali e 1 në Shqipëri, ndërsa pesë të tjerë janë shpallur në kërkim e ka shumë mundësi që të gjenden të gjithë në Siri. Mes atyre në kërkim, janë çifti Maria Giulia Sergio, 27 vjeç, dhe Aldo Kobuzi, 27 vjeç, ndërsa të arrestuarit janë prindërit Sergio e Assunta Buonfiglio dhe motra Marianna e italianes (të tre këta të arrestuar në Milano), daja Baki Çoku, 37 vjeç (i arrestuar në Lushnje), dhe tezja Arta Kacabuni, 41 vjeç (e arrestuar në Grosseto) e shqiptarit. Veç çiftit urdhërarrestet janë edhe për  nënën e Kobuzit, Donika Çokun, 44 vjeç, motrën e tij Serjola Kobuzin, 19 vjeç, dhe për kanadezen Bushra Haik, 30 vjeç.

Hetimet e nisura tetë muaj më parë kishin në qendër 27-vjeçaren Maria Giulia Sergio që  është kthyer në një myslimane radikale e ka mbështetur kauzën e Kalifatit. Sot quhet Fatima Zahra, ndërsa për hetuesit që kanë përgjuar çdo komunikim të saj me familjarët e vet e të të shoqit, i kanë vënë nofkën “Lady Jihad”.

Më 17 shtator 2014, Maria Giulia Sergio e Ado Kobuzi martohen në xhaminë e Treviglios. Më 18 shtator nisen për Scansano të Grossetos ku Kobuzi ka të afërmit dhe më 21 shtator marrin në Fiumicino avionin për në Stamboll e nga aty shkojnë në Gaziantep. Që aty mendohet se kanë hyrë në Siri më 2 tetor.

Në nëntor, Aldo Kobuzi nisi stërvitjen ushtarake në Irak, pas gjashtë javëve u bë muxhahedin dhe më pas mori pjesë në disa aksione. Ndërkohë Maria Giulia rri në Siri me vjehrrën dhe kunatën. Sipas hetuesve në shkurt edhe kjo ka nisur stërvitjen ushtarake.  

Sipas prokurorit milanez, Maurizo Romanelli që dha një konferencë shtypi mbi operacionin, nga hetimet del se të arrestuarit e të mërkurës po përgatiteshin të shkonin edhe ata në Siri, të bindur që në mars nga 27-vjeçarja për t’iu bashkuar xhihadistëve. Madje, prindërit e Maria Giulias kishin lënë punën e kishin shitur edhe mobilje të shtëpisë në internet. Udhëtimi ishte lënë për në gusht-shtator.

“Nuk kemi elementë për të menduar se po përgatiten atentate të mundshme në Itali” ka  sqaruar Romanelli, që ka shtuar se “gjatë hetimeve nuk ka dalë në dritë ndonjë rol i veçantë i xhamive e as nuk dalin të dhëna mbi rekrutimin e migrantëve në Itali”.

Çeku familjar. Nga 1 korriku kufij të përditësuar për të ardhurat e shuma të reja për çeqet

Shqipëria në EXPO. Një rast i humbur?