in

Finlanda: “Rritje marramendëse kërkesash të pabaza azili nga shqiptarët. Asnjë nuk pranohet”

Edhe shteti nordik mundohet të sensibilizojë shqiptarët që të mos u besojnë zërave sipas të cilëve mund të marrin azil në atë vend e, në rastin më të keq, mund të kthehen mbrapsht falas

Romë, 20 korrik 2015 – Zyra e Imigracionit e Finlandës shprehet e shqetësuar për rritjen “marramendëse” të numrit të kërkesave të pabaza të shqiptarëve për azil gjatë muajve të fundit. Sipas saj ato kanë shkuar nga 25 në maj,72 në qershor dhe në rreth 150 në vetëm dy javët e para të korrikut. Me një komunikatë shtypi, ajo thekson që “të gjithë azilkërkuesit shqiptarë të këtij viti kanë marrë përgjigje negative” dhe vë në dukje se nisjet e shqiptarëve bëhen në mënyrë të organizuar. “Azilkërkuesit shqiptarë – shkruhet në komunikatë – kanë pohuar se ka grupe të organizuara pas mbërritjes së tyre në Finlandë. Sipas informacionit të marrë nga Shërbimi i Imigracionit finlandez, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në shtete të tjera të Evropës. Njerëzit që kanë organizuar udhëtimet e azilkërkuesve u kanë thënë këtyre të fundit se mund të marrin para për t’u kthyer në shtëpi në qoftë se kërkesa e tyre e azilit nuk do të pranohet”.

Në fakt, azilkërkuesit të cilët kanë marrë një përgjigje negative për kërkesën e tyre për azil, ndër të tjera, mund të aplikojnë për kthimin vullnetar të asistuar, për të përfituar ndihmën prej rreth 200 eurosh në rastin e shqiptarëve. Por Finlanda nuk e miraton automatikisht këtë ndihmë për të gjithë. “Nëse ka arsye për të dyshuar se abuzohet me sistemin e asistencës, atëherë ndihma nuk miratohet. Kohët e fundit, të gjithë shqiptarët kanë marrë përgjigje negative por nga fillimi i vitit rreth 30 kanë fituar ndihmën e kthimit vullnetar të asistuar”, thuhet në komunikatë.

Madje Zyra e Imigracionit shton se, bashkë me përgjigjen negative mund të merret edhe dëbimi që nënkupton ndalim hyrjeje në të gjithë zonën Schengen.
Zyra e migracionit e konsideron Shqipërinë një vend të qetë përsa i përket situatës së përgjithshme të sigurisë. “Mund të kërkoni azil në Finlandë – thuhet në komunikatë – nëse keni arsye të frikësoheni se do të përndiqeni në vendin tuaj. Nëse kërkesa për azil ju refuzohet dhe ajo konsiderohet e pabazuar, atëherë kjo mund të nënkuptojë edhe ndalimin e hyrjes në të gjithë zonën Schengen”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shqiptarë me shtetësi tjetër

Shtetësia italiane. Kërkesat janë shumëfishuar. “Është e pamundur t’u përgjigjemi”