Shqipëria ka pasuri të pafund natyrore dhe një diversifikim të lartë të burimeve brenda një sipërfaqeje të vogël, që e bëjnë atë të përshtatshme për çdo lloj turizmi, detar, lumor, liqenor, malor, të aventurës, natyrë, kulturor etj.
E megjithatë, këto vjet, Shqipëria nuk ka arritur të krijojë vlerë të shtuar nga kjo “dhuratë”
Që turizmi është një nga sektorët potencialë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, këtë e dinë i madh e i vogël. Vendi ka pasuri të pafund natyrore dhe një diversifikim të lartë të burimeve brenda një sipërfaqeje të vogël, që e bëjnë atë të përshtatshme për çdo lloj turizmi, detar, lumor, liqenor, malor, të aventurës, natyrë, kulturor etj.
Por, në vite, Shqipëria nuk ka arritur të krijojë vlerë të shtuar nga kjo “dhuratë”. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, aktualisht, kontributi direkt i turizmit në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) është 4,8%. Në këto nivele ai është më pak se gjysma e fqinjëve. Për krahasim, sipas të dhënave nga Këshilli Botëror i Turizmit, në Kroaci, kontributi direkt i turizmit është gati 13% e PBB-së, në Mal të Zi është gati 10% e PBB-së; në Greqi rreth 8% e PBB-së. Shqipëria ia kalon vetëm Maqedonisë (ku turizmi kontribuon në vetëm 1,5% të PBB-së), që si burim kryesor turistik ka vetëm liqenin e Ohrit, gjysmën e të cilit e kemi edhe ne.
Pritshmëritë janë tepër modeste. Parashikohet që deri në vitin 2020, kontributi i turizmit në PBB të arrijë në 6,1%.
Problemet gjithashtu janë të njohura: mungesa e resorteve të mëdha turistike; shpenzimet e ulëta për frymë të turistëve të huaj dhe varësia nga pushuesit nga Kosova; raporti jo proporcional çmim/cilësi e shërbimit; moszgjatja e sezonit përtej tre muajve të verës; problemet ende të pazgjidhura të cilësisë së ujit, infrastrukturës dhe deri tek gjëra elementare si mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit të pijshëm apo kanalizimet. Çdo sezon veror ka qenë gjithnjë një luftë e përhershme dhe e stërmundimshme për Shqipërinë, e cila, edhe pse është përmirësuar, ka ende mangësi tipike në cilësinë e shërbimit turistik.
Ndërkohë fqinjët si Mali i Zi dhe Turqia mbeten udhëtimet më komode në raportin çmim/shërbim. Pas liberalizimit të vizave në horizont janë shfaqur tashmë dukshëm edhe Greqia, që dikur as nuk mendohej si një konkurrent i drejtpërdrejtë i Shqipërisë. Ofertat nga ky vend në krizën më të thellë ekonomike, por dhe afërsia gjeografike, dhe me plazh, ushqim dhe sjellje të njëjtë me Jugun e vendit, janë bërë kërcënim për turizmin e brendshëm shqiptar.
Edhe ky sezon veror duket si një film bardh e zi, që ritrasmetohet pa e marrë askush mundimin që të paktën ta bëjë me ngjyra. Nga Jugu vijnë episode të faturave me çmime të kripura, që nuk na shqetësojnë për shtrenjtësinë e tyre (në fund të fundit është një produkt luksi, që kush do, e paguan, dhe kush do jo dhe riskun e merr përsipër ofruesi i shërbimit), por për mungesën e reagimit të institucioneve tatimore, që ende tolerojnë mospërdorimin e faturave tatimore. Sektorin turistik vijon ta gërryejë informaliteti i lartë, që transmetohet në më pak investime në infrastrukturën që i shërben këtij sektori (ende nuk dimë përshembull se sa hotele janë në vend!).
Në një tjetër episod, përmes një “ndëshkimi” kolektiv ndaj viteve të tëra keqshfrytëzimi në të gjitha drejtimet (infrastrukturë, betonizim, shërbim, çmim) pushuesit nga Kosova kanë braktisur Durrësin, zonën me kapacitete më të mëdha mikpritëse në vend. Turizmi patriotik ka arritur në maturim dhe rrezikohet në të ardhmen, kur pushuesit nga Kosova do të mund të lëvizin pa viza.
Prej vitesh kemi ndjekur hartimin e strategjive e ligjeve për turizimin, që asnjëherë nuk janë zbatuar plotësisht dhe nuk kanë arritur objektivat e parashikuara. Një ligj i fundit për turizmin do të kalojë këtë javë në Parlament, që pretendon ta fusë industrinë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Dhe, nëse modeli i turizmit nuk ndryshohet sa nuk është vonë dhe nëse mungon vullneti politik për të zbatuar strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm, filmi do të vijojë të ketë një “fund të palumtur”.
Botuar në revistën Monitor me titull “Bumerangu i turizmit”