Edhe Rovato ngre çmimin e certifikatës së domosdoshme për bashkimet familjare dhe kartën e qëndrimit. “Nevojiten teknikë dhe verifikime”
Milano, 25 gusht 2015 – Me gjithë sentencat e gjykatave dhe angazhimin e qeverisë për të marrë masa, vazhdon të zgjatet lista e komunave italiane ku certifikata e përshtatshmërisë së strehimit të kushton sa sytë e ballit.
E fundit që i shtohet listës është Rovato, në provincën e Brescias. Administrata e drejtuar nga kryetari i komunës Tizano Belotti dhe e mbështetur nga një mazhorance e udhëhequr nga Lega sapo kanë ngritur çmimin e certifikatës nga zero në 312 euro, plus një pullë-taksë 16 euro.
Ia vlen të kujtohet që certifikata është thuajse e panjohur për italianët, por imigrantëve u nevojitet disa herë, për shembull për të kërkuar bashkim familjar apo kartën e qëndrimit. E në Rovato, me 20 mijë banorë, një e pesta e të cilëve janë të huaj, tarifa e re mund të jetë një dhuratë e majme për arkat e komunës.
Rovato nuk është e para që e bën këtë. Rritja e pajustifikueshme e marramendëse e kostos së certifikatës u konstatua për të parën herë në në Bolgare të Bergamos ku kryetari legist i komunës e çoi tarifën në plot 500 euro. Por pas disa muajve gjykata e Bergamos e shfuqizoi tarifën sepse ishte diskriminuese dhe detyroi Komunën të dëmshpërmblente të gjithë imigrantët që kishin paguar ndërkohë super-taksën.
Por super-taksa mbi certifikatën u vendos edhe tjetërkund. Albino, Pontoglio, Segrate, Telgate… janë komuna të tjera në Veri të Italisë që kanë ngritur tarifën, duke rrezikuar paditjen e dënime të reja në gjykatë.
Në prill, çështja mbërriti në Parlament, i cili, që më 10 qershor, ka angazhuar Qeverinë të fiksojë tarifën tavan për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit. Por deri më sot qeveria nuk ka lëvizur as gishtin.
Ndërkaq kryetari i komunës së Rovatos, Tiziano Belotti, mbron vendimin e tij për detyruar pagesën e mëse 300 eurove për copën e letrës që thotë nëse shtëpia ku jeton është apo nuk është e banueshme.
“Mos filloni të flisni për racizëm – u tha kronistëve – kjo është kostoja mesatare që i kushton Komunës së Rovatos lëshimi i kësaj certificate. Nevojiten teknikë dhe verifikime për të vlerësuar nëse banesat janë të përshtatshme për t’u banuar e nuk janë të rrënuara…”.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)