Projekti i ligjit financiar 2016 parashikon ngritje nga 20% deri në 40% për kostot e shërbimeve e kërkon që të paguajnë edhe ata që vijnë në Itali për studime. Kështu Italia do të arkëtojë 6 milionë euro më shumë.
Romë, 21 tetor 2015 – Rriten çmimet e ofruara nga konsullatat italiane e këtë gjë do ta vuajnë të huajt që duan të vijnë në Itali. Përfshirë ata që zgjedhin Italinë për të ndjekur studimet.
Këtë parashikon projekti i “ligjit të Qëndrueshmërisë 2016” i miratuar para pak ditëve nga qeveria, të paktën nga sa duket nga boca e fundit e tekstit, akoma nuk ka dalë ai përfundimtar.
Mes normave të shumta që disiplinojnë të ardhurat e shpenzimet e Shtetit, është edhe ajo që modifikon tarifat e të drejtave konsullore, me rritje të përgjithësuara që duhet të sjellin në arkat e shtetit 6 milionë euro më shumë në vit.
Në veçanti, do të rriten me 20% tarifat për certifikata të gjendjes civile, për dokumente mbi mosmarrëveshje, ndihmë vullnetare dhe juridiksion vullnetar dhe dokumente administrative. Po do të rriten akoma më shumë, me 40%, tarifat për aktet e noterëve apo që kanë të bëjnë me transportin detar e ajror, për përkthimet e legalizimet (shpesh të kërkuara nga shqiptarët në Tiranë apo Vlorë, më shumë se nga italianët) dhe për të drejtat urgjencës.
Ligji i Qëndrueshmërisë parshikon edhe një tarifë të re prej 50 eurosh për “vizën kombatare (tipi D) për motive studimi”. Shifra nuk është e vogël, veçanërisht po të mendosh që deri më sot studentët nuk paguanin asnjë qindarkë për të marrë vizën për studime.
Do të mbeten të pandryshuara të gjitha tarifat e tjera: ato për vizat për qëndrime afatshkurtra, 35 euro për shqiptarët, (shumica e këtyre vizave janë hequr me liberalizimin e vizave, por në disa raste duhen marrë, si për shembull, për të ardhur në Itali për kura mjekësore) dhe ato për qëndrimet afatgjata, 116 euro.
Së fundi, duhet thënë që u shpëtojnë rritjeve të çmimeve pasardhësit e italianëve që jetojnë jashtë Italisë e kërkojnë njohjen e shtetësisë përmes konsullatave. Projekti i ligjit financiar përjashton shprehimisht tarifën për trajtimin e kërkesave të tyre nga rritjet. Por edhe sot për sot, pa rritjen e çmimit, paguajnë goxha, plot 300 euro.
Elvio Pasca