in

Lejeqëndrimi elektronik i ri. Shenjat e gishtërinjve edhe të miturve

Dokument personal për të miturit e huaj që nga lindja. E nga mosha gjashtëvjeçare e lart do t’u duhet të shkojnë në Kuesturë për të lënë shenjat e gishtërinjve

Romë, 18 nëntor 2015 – Fëmijët në radhë në Kuesturë bashkë me prindërit. Jo pse këta të fundit nuk kanë me kë t’i lënë, por sepse edhe të miturit duhet të japin shenjat e gishtërinjve. Është kjo një nga pasojat e ardhjes në fuqi në të gjithë Italinë e lejeqëndrimit elektronik të ri.

Këtej e tutje të miturit e huaj, që kur vijnë në jetë, do të jenë mbajtës të një lejeqëndrimi personal. Do të zhduket në mënyrë progresive (pak nga pak, ndërsa paraqiten kërkesat për përtëritje) i ashtuquajturi “allegato minori”, dokumenti që lidhej me lejeqëndrimin e prindërve dhe u lëshohej të miturve nën moshën 14 vjeç.

Këtej e tutje, nga mosha 6-vjeçare, edhe fëmijët do të jenë të detyruar të lënë shenjat e gishtërinjve, që do të memorizohen në bankat e të dhënave të ministrisë së Brendshme dhe në mikroprocesorin e fshehur në lejen e qëndrimit. Një nga funksionet e sistemit të ri informatik me të cilin janë pajisur së fundi të gjitha Zyrat e imigracionit të Kuesturave ka të bëjë pikërisht me “administrimin e të miturve”.

Asgjë nuk ndryshon në paraqitjen e kërkesës, që mund të bëhet nga prindër e fëmijë duke përdorur një komplet postar formularësh të vetëm. Por më pas, të rritur e të miturit mbi 6 vjeç duhet të shkojnë në Kuesturë të paktën dy herë. Siç konfirmohet nga një komunikatë e Kuesturës së Firences, është bërë e detyrueshme “prania e bijve të mitur në çastin e paraqitjes në sportel kur jepen shenjat e gishtërinjve dhe në çastin e tërheqjes së lejes së qëndrimit”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lejeqëndrimi elektronik i ri. Udhëzimet për Kuesturat

Bari. Sekuestrohen në port 1.650 kg marihuanë