Nga 18 tetori, ekspozimi në xhamin e makinës i kuponit të sigurimit nuk është më i detyrueshëm, policia mund të verifikojë nga targa e makinës nëse ajo e ka sigurimin RC Auto apo jo. Në Itali janë mbi 230 mijë shqiptarët me patentë italiane të tipit B
Romë, 2 nëntor 2015 – Lamtumirë kuponi i sigurimit të makinës. Tashmë nuk duhet ekspozuar në xhamin e makinës, policisë i mjafton të kontrollojë targën për të mësuar nëse është gjithçka në rregull edhe me sigurimin apo jo.
Risia italiane u intereson edhe të gjithë shqiptarëve që ngasin makinën këtu e që nuk janë pak. Sipas të dhënave të ministrisë së transportit, rreth 2,6 milionë patenta italiane të tipit B (mëse 7% e të gjithave) janë në emër personash të lindur jashtë Italisë, e nga këta 233.402 kanë lindur në Shqipëri. Para nesh rumunët (380 mijë patenta) menjëherë pas nesh marokenët me 220 mijë.
Sipas normave të reja të ardhura në fuqi më 18 tetor, ekspozimi në xham i kuponit të sigurimit nuk është më i detyrueshëm, e ndoshta edhe shoqëritë e sigurimit do të fillojnë të mos e lëshojnë më. Natyrisht mbeten gjithnjë të detyrueshme jo vetëm që të sigurohen automjetet me RC Auto por edhe të mbahet në makinë certifikata që përmban të gjitha të dhënat dhe skadencën e sigurimit.
Forcat e rendit tani janë të lidhura telematikisht me një bankë të dhënash që, përmes targës së automjetit lejojnë të verifikohet nëse ai është i mbuluar nga sigurimi. Shumë shpejt ky kontroll nuk do të bëhet vetëm nga agjentët e policisë por edhe nga mjetet e ndryshme të instaluara rrugëve të Italisë si Autovelox, Tutor, Telepass dhe telekamerat e Zonave me trafik të kufizuar (ZTL).
Për këtë arsye nuk nevojitet më kuponi në letër, që veç të tjerash, ishte lehtësisht i falsifikueshëm. Shoqata kombëtare e shoqërive siguruese (ANIA) thotë se në vitin 2014 kanë qarkulluar rreth 3,9 milionë automjete të pasiguruara.
Me bankën e të dhënave të automjeteve të siguruara e shumë sy njerëzorë e, mbi të gjitha, elektronikë rreth e rrotull, tani do të jetë shumë më e vështirë të qarkullohet me makinë të pasiguruar. E gjobat e parashikuara nga kodi rrugor janë goxha të majme: kush del me makinë të pasiguruar rrezikon nga 841 deri në 3.287 euro gjobë dhe sekuestrimin e mjetit.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)