in

Gjergji Kajana, publicisti beratas që synon politikën

Student në Romë për shkenca politike, analizon në media shqiptare e italiane kryesisht mbi tema politike. “Nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të hyj në politikë. Sepse besoj se politika e mirë është mision në shërbim të komunitetit dhe zgjidh probleme”

Gjergji Kajana është 33 vjeçar nga Berati, që pasi ka mbaruar të mesmen në qytetin e lindjes, ka ardhur në Itali për të studiuar Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ka marrë diplomën 3-vjeçare të marrë menjë tezëmbi luftërat ballkanike të 1912-1913-s, gjatë të cilave lindi shteti shqiptar. “Diskutimi i temës më qëlloi pikërisht në 28 nëntor!” thotë me kënaqësi të veçantë. Si shumë studentë të tjerë, gjatë gjithë viteve të universitetit ka punuar për të mbajtur veten e tashmë i mungon pak për të mbaruar edhe kursin e diplomës 2-vjeçare.

Gjergji ka pasion të veçantë për gazetarinë që lexuesit e Shqiptarit të Italisë mund ta kenë vënë re nga shkrimet e tij gjatë këtyre tre vjetëve të fundit. Nga artikulli i parë i botuar në qershor 2012 me titull “Dialogu i të shurdhërve”, deri tek i fundit mbi kualifikimin e Kombëtares në Euro 2016 para një muaji, ka trajtuar kryesisht pasojat politike të situatave të ndryshme.

Thuajse gjithnjë për tema politike, shqiptare dhe ndërkombëtare, Gjergji shkruan edhe në media të tjera, shqiptare dhe italiane. Për herë të parë ka botuar në gazetën Shekulli, ka bashkëpunuar për pak kohë me gazetën Shqip, sot bashkëpunon me Tirana Observer. Në gjuhën italiane, përveçse në Shqiptariiitalise.com, ka shkruar për disa vjet për organin e shoqatës studentore Eurosapiens të La Sapienzas, ka bashkëpunuar për disa muaj me artikuj mbi Ballkanin në revistën online www.altd.it, organ i shoqatës Meridiani Relazioni Internazionali.

E kur e pyet nëse e konsideron veten gazetar, të përgjigjet: “Jam një i apasionuar për gazetarinë që shkruan për organe shtypi pa qenë regjistruar në urdhërat profesionalë të gazetarëve apo publicistëve.Më pëlqen të jem optimist por çmoj shumë realizmin. Për momentin nuk kam aspak ndërmend të ndalem nga investimi në gazetari”.

Kur keni nisur të shkruani?

Unë kam lindur në një familje ku të dy prindërit kanë mbaruar arsimin e lartë. Në shtëpi kam qenë i rrethuar nga libra. Në shkollë kam pasur nota mbi mesataren dhe pasioni im kanë qenë letërsia, historia dhe anglishtja. Më kanë pëlqyer shumë lëndët sociale, për të cilat kam qenë shumë kureshtar dhe i ndiqja me lexime edhe jashtë programit shkollor. Kam qenë lexues shumë i mirëqë në adoleshencën e hershme, madje nuk përtoja t’u hidhja një sy as gazetave. Drejt pasionit gazetaresk më kanështyrë kureshtja ndaj realitetit dhe dëshira për ta sintetizuar atë. Në hartimet letrare jo gjithmonë merrja notën maksimale pikërisht sepse tentoja ta sintetizoja shumë një temë, shpesh hartimet dilnin të shkurtra pasi dëshiroja t’i mbaroja shpejt. Le të shtojmë këtu që fëmijëria dhe adoleshenca ime i përkasin viteve ’90, kur realiteti shqiptar jepte goxha shtysa për reflektim për një djalë kureshtar si unë. I kam të gjalla sidomos kujtimet e ’97-s dhe të periudhës së trazuar të mëpasshme, kur në politikë u ravijëzua me dhunë konflikti Nano-Berisha dhe nga ana sociale Shqipëria nisi ndryshimet që sot e kanë nxjerrë nga lista e vendeve të botës së tretë.

Nisa të shkruaja në gazeta për tematika ndërkombëtare në 2009-n, pasi u diplomova në 3-vjeçare me temën mbi Ballkanin. Ndiqja online “Shekulli”-n dhe shkrova tek rubrika e letrave të lexuesve ose tek blogu interesant që atëherë kjo e përditshme kishte. Pas aderimit në NATO lexova në versionin e saj online se gazeta kërkonte artikuj për këtë temë. Ia nisa artikullin kryeredaktorit Adrian Thano, ai m’u përgjigj se do ta botonin, më kërkoi vetëm t’i nisja një vetëprezantim të shkurtër. Ia nisa menjëherë. Në 19 prill 2009 artikulli im doli në “Shekulli” print e online me titullin “Kostot e NATO-s”. Argumentoja se aderimi në NATO ishte një zhvillim pozitiv që e bënte Shqipërinë vend përgjegjës për sigurinë ndërkombëtare. Shtoja se politikanët shqiptarë kishin merita për atë arritje por meritonin largimin në masë nga skena politike sepse ishin të papërshtatshëm për këto përgjegjësi globalizuese. Bashkëpunimi me “Shekullin” zgjati 16 muaj. Shkruaja shumë për tematika ndërkombëtare, s’ndihesha aq i sigurt për të analizuar realitetin shqiptar, megjithëse e njihja nëpërmjet mediave. Duke shkruar për tema ndërkombëtare, mbaja vokacionin e të diplomuarit në marrëdhënie ndërkombëtare. Kam shkruar për Kosovën, BE-në, tensionet në Kaukaz e Afganistan, përvjetorët e 11 Shtatorit e rënies së Murit të Berlinit e konfliktin politik italian të 2010-s Berluskoni-Fini. Në 2011-n botova 3 artikuj në “Gazeta Shqip”, një për pranverat arabe që kishin nisur të përgjakeshin fuqishëm në Siri e Libi dhe dy për Italinë, që po bëhej gati të zëvëndësonte në qeveri Berluskonin me Montin sepse po prekej fort nga kriza e borxheve publike që nisi në Greqi.

Tani shkruani në “Tirana Observer”?

Prej marsit të këtij viti. Aty nuk shkruaj vetëm për tematika ndërkombëtare por edhe shqiptare. Kam kritikuar kryeministrin Rama për deklaratat për bashkim klasik me Kosovën (për mua ai duhet të ndodhë vetëm brenda BE-së), kam analizuar marrëdhëniet e reja me Serbinë, kam analizuar pritshmëritë që ka sjellë “Rilindja” e re Rama-Meta dhe problemet politiko-morale që sjell prania e të inkriminuarve në Parlament, që i kam quajtur pjesa informale e politikës sonë. Për mua personalisht artikulli im më i arritur në këtë gazetëështë “Varfëria që voton me këmbë”, botuar në 29 prill. Duke marrë shtysë nga problemi i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani dhe kritikat e deputetit Blushi ndaj qeverisë për varfërinë, kam tentuar të shoh në këtë artikull pasojat sociale të kësaj plage vrastare shqiptare. Në Itali ka varfëri por ajo nuk të vret kurrë sytë sa ajo shqiptarja. Nga udhëtimi i fundit në atdhe më ka prekur shumë pamja e një lypëseje plakë në Tiranë dhe fëmijët  romë që digjnin natën letrat në Bllok për t’u ngrohur. Për një shqiptar të Shqipërisë mbase skenat e varfërisë shqiptare janë të zakonshme, për ne që vijmë nga jashtë janë rrënqethëse sepse nuk na lënë dot indiferentë.

Gjergji, ju nuk keni shkruar vetëm në Shqipëri apo jo?

Në 2009-n, viti në të cilin nisa të shfaqesha tek “Shekulli”, aderova në Fakultetin e Shkencave Politike në “La Sapienza” në një shoqatë studentore të quajtur Eurosapiens. Ajo ekzistonte prej rreth një viti dhe kishte një kuotë anëtarësimi shumë të ulët. Më tërhoqi fakti se po nxirrnin një gazetë të vogël në versionin print, organ i cili vitin pasues kaloi online. Shkruajta një artikull në versionin print, pastaj për tre vjet shkruaja rregullisht online tek siti i shoqatës, që shërbente si organ shtypi. Siti morri zyrtarisht çertifikimin si organ informacioni prej Agjencisë Italiane të Komunikimeve (AGCOM). Duhej kujdes në hartimin e artikujve sepse citime të pasakta mund të tëngarkonin me përgjegjësi civile në rast citimesh të gabuara ose pa vend në artikuj. Aty shkruaja përgjithësisht mbi Ballkanin. Si ballkanas shqiptar, jam fokusuar tek temat shqiptare, si 21 Janari, negociatat me BE-në, zgjedhja në 2012-n e zoti Nishani si president e shkarkimi i prokurores Ina Rama. Artikujt ishin të tipit informativ, jo analitik. I kam bërë analizë të shkurtër librit “Mbytja” të autorit italian Alessandro Leogrande, libër kushtuar tragjedisë së marsit ’97 në Kanalin e Otrantos. Kam shkruar edhe për hapësirën ish-jugosllave e në këtë kontekst kam studiuar pak afrimin e Serbisë me BE-në. Me keqardhje mund të them se në këtë aspekt politikanët serbë kanë qenë me reforma të kryera më punëtorë se ata që kanë qeverisur në Tiranë deri në 2013-n. Serbia ka marrë statusin e vendit kandidat dy vjet para nesh teksa në 2000-shin ishte një shtet armik për Perëndimin ndërsa Tirana aleate e ngushtë e NATO-s e BE-së. Elita shqiptare zotëron cilësinë e keqe të vetisë për të humbur kohë drejt modernizimit të vendit.Fakteqësisht artikujt e Eurosapiensit nuk janë më online pasi shoqata u shpërbë para dy vjetësh. Ishte, gjithsesi, një përvojë e shkëlqyer për mua.

 

 Në 2013-n kam bashkëpunuar për pak muaj me artikuj mbi Ballkanin në revistën online www.altd.it, organ i shoqatës Meridiani Relazioni Internazionali, e cila ka seli në Firence dhe merret me thellimin e tematikave të politikës ndërkombëtare, ekonomisë e sigurisë në një optikë gjeopolitike. Kam shkruar për “Shqipërinë e Madhe”, retorikë tiranase prej ish-kryeministrit Berisha e Aleancës Kuqezi të zotit Spahiu që po niste të tërhiqte shqetësime ndërkombëtare. Për atë revistë kam ndjekur negociatat Thaçi-Daçiç që sollën marrëveshjen serbo-kosovare të Brukselit dhe zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, për të cilat kam shkruar tre herë.

Në marsin e sivjetshëm botova një artikull informues mbi çështjen Doshi-Meta në sitin e mirënjohur mbi Evropën Lindore www.balcanicaucaso.org.

Bashkëpunimi me këto organe italiane më ka ndihmuar shumë të përmirësoj stilin tim të të shkruarit. Në artikujt e mi të parë stili është më i thatë e më pak shpjegues i ngjarjeve që përshkruaj, më pas – sidomos prej nisjes së bashkëpunimit të shkurtër me Meridiani – kam mësuar të thellohem më tepër si në ngjarjen si në analizën e ngjarjeve. Stilin tim aktual ia detyroj jashtëzakonisht shumë këtyre bashkëpunimeve me Eurosapiens e Meridiani.

Pyetje për një publicist politik: si ju duket “Rilindja” Rama-Meta dhe si ju duket se ka ecur ajo në dy vjet?

Për ndershmëri, së pari duhet të them se, si i diplomuar në një fakultet me temë politikën që njeh bazat e mirëfunksionimit të saj dhe si shqiptar, nuk çmoj berishizmin. Me këtë emërtim përkufizoj praktikën autoritare, të personifikuar nga Berisha, që ka sunduar politikën tonë deri në 2013-n dhe ka helmuar shoqërinë me kundërvënien imagjinare ideologjike mes komunistëve (që për Berishën ishin drejtuesit e Partisë Socialiste, të cilën ai e ka quajtur të përbërë nga “bllokqenër”) e antikomunistëve, të cilët natyrisht ishin krejt në PD. Duke lexuar artikujt e mi kuptohet qartë se nuk e vlerësoj aspak këtë praktikë politike e cila i ka shkaktuar Shqipërisë vetëm vuajtje dhe moszhvillim në të gjitha fushat. Berishizmi nuk ka fajin për gjithçka jo të mirë që ka ndodhur në Shqipëri prej 1991-shit por nuk ka pasur si qëllim as krijimin e shtetit formal ligjor e as rritjen e mirëqënies së shqiptarëve, ajo për çka ata kishin nevojë pas daljes nga diktatura.

“Rilindja” është më e detajuar se çdo program historik i PD-së në analizën për zgjidhje të problemeve të shqiptarëve të Shqipërisë (për ata jashtë krejt politika shqiptare kujtohet vetëm në kohë zgjedhjesh). Ka vënë qartë në bankën e të akuzuarve të të këqijave shqiptare informalitetin, një oktapod shumëkëmbësh që ka mbajtur Shqipërinë në anarki sociale e tranzicion të përhershëm. Më duket se “Rilindja” po punon. Në Itali unë dhe qindra mijëra shqiptarë të tjerë kemi parë me sy skllavërinë e punës së zezë . Sot është fakt se administrata e re shqiptare, përmes regjistrimit të bizneseve dhe njohjes e pagesës së kontributeve të atyre që kishin punuar në shtet e s’i kishin ato të paguara,po e lufton këtë fenomen tipik të shoqërive anarkike. Kam rezerva (të shprehura edhe tek artikujt tek Shqiptariiitalise.com e Tirana Observer) për shumë të zgjedhur prej “Rilindjes” e kryeministrit të saj për të përfaqësuar shqiptarët në Parlament, nuk besoj aspak se korrupsioni e hajdutëria ndaj fondeve publike do të zhduken me shkop magjistari përgjatë kësaj legjislature por besoj se hapa të mëdhenj mund të bëhen në përmirësimin formal të Shqipërisë. Formalizim është çertifikimi i burimeve ekonomike e njerëzore të një vendi, përdorimi transparent e me efikasitet i të ardhurave të shtetit (që janë në shumicë paratë e shqiptarëve të cilat shqiptarët duhet të pretendojnë të përdoren në shërbime funksionale për ta e jo politikanët) dhe lufta ndaj kriminalitetit si të vogël si të jakave të bardha. Mendoj se me “Rilindjen” është përmirësuar klima politike pozitë-opozitë jo sepse kanë vendosur të bashkëpunojnë pa dorashka por sepse qeveria tenton ta injorojë opozitën, e cila ka program të dobët që sheh vetëm tek tërheqja e votës nga një pjesë e shoqërisë shqiptare. PD rend vazhdimisht drejt populizmit në mbrojtje të informalitetit shqiptar. Zgjedhjet e fundit lokale treguan se ata shqiptarë që votojnë janë në shumicë me “Rilindjen”. Por zgjedhjet – siç tregoi raporti i OSBE/ODHIR- nuk ishin krejt pa hije dhe për këtë “Rilindja” duhet të reflektojë sepse organizimi i zgjedhjeve është përgjegjësi e administratës në pushtet. Zgjedhjet janë dyshemeja e çdo demokracie dhe me zgjedhje shqiptarët do të vendosin nëse “Rilindja” meriton besim apo duhet zëvendësuar. Në politikën tonë çdo gjë thuhet se bëhet në emër të qytetarëve e, për momentin, shumica e qytetarëve që votojnëzgjedhin programin e “Rilindjes”.

Kur mendoni se mund të hyjmë në BE?

BE ka qenë shumë e qartë në këtë pikë: pas 2019-s sepse deri atë vit zgjerimi është i bllokuar dhe pasi të bëjmë ato reforma (si psh. ajo megathemelore në drejtësi) të cilat bëjnë Shqipërinë më të drejtë dhe të cilat ne duhet t’i kemi të bëra për ne, jo për BE-në. Unë mendoj se objektivi i aderimit në Evropë i bën mirë klasës sonë politike sepse frenon shumë nga instiktet e saj irracionale, të cilat – të mos e harrojmë – në vitet ’90 kanë rrezikuar të na çojnë në luftë civile. Kjo është e shkuara jonë shumë e afërt dhe ne nuk duhet ta përsërsim kurrë historinë në sensin e saj negativ.

Si e gjykoni komunitetin shqiptar në Itali?

Kam vënë re se në evente artistike-kulturore është më i gjallë sesa vitet e mia të para këtu por besoj se mund të bëjë më tepër në organizimin për të kërkuar të drejtat politike bazë si psh. e drejta e votës prej jashtë Shqipërisë për shqiptarët rezidentë jashtë Shqipërisë. Më ka bërë përshtypje negative fakti se në zgjedhjet për këshilltarët komunalë në 2006-n komuniteti shqiptar nuk kishte një kandidat të vetëm por katër të këtillë. Pse kjo përçarje? Komuniteti shqiptar duhet të konvergojë në një program të vetëm përfaqësuar prej një kandidati të vetëm në mënyrë që edhe votat e këtij komuniteti t’i marrë ai.

A mendoni të merreni një ditë me politikëpasi shkruani gjerë e gjatë mbi për të?

Për momentin më mjafton të merrem me politikë duke shkruar për politikën, për të ardhmen time të mundshme në politikë më aktive vlen thënia “Kurrë mos thuaj kurrë”. Nuk e përjashtoj të merrem nëse do të kem mundësi sepse unë besoj se politika e mirëështë mision në shërbim të komunitetit dhe zgjidh probleme. Shqiptarët në Shqipëri kanë parë pak politikë të mirë prandaj janë të zhgënjyer nga politika, që e lidhin me korrupsionin e politikanëve e vështirësitë që kanë për të jetuar me më shumë dinjitet.

 

 

31 mijë shqiptarë me ndërmarrje individuale në Itali

Çeku i komunave për nënat e reja. Karta e qëndrimit nuk nevojitet