in

Dekret i ri fluksesh, thuajse i gjithi për punonjës sezonalë e konvertime lejeqëndrimesh

Pritet botimi në Gazetën Zyrtare për rreth 30 mijë kuota. Por kufijtë mbeten të mbyllur për punonjësit e huaj jo-sezonalë

Dekret i ri fluksesh, thuajse i gjithi për punonjës sezonalë e konvertime lejeqëndrimeshRomë, 1 shkurt 2016 – Italia u hap kufijtë punonjësve të huaj, por me kusht që, pasi të kenë punuar këtu për disa muaj, të kthehen nga erdhën.

Pritet të botohet këtë javë në Gazetën Zyrtare dekreti i ri i flukseve me rreth 30 mijë kuota. Do të përmbajë nga më të ndryshmet: do të ketë (vetëm pak) kuota për hyrje të reja për punë të pavarur dhe të varur, kuota për konvertime lejesh qëndirmi dhe hyrje për punë sezonale.

Në detaje, dekreti do të autorizojë disa mijëra hyrje për punonjës të varur që kanë përfunduar kurse formimi jashtë Italisë dhe për punonjës të pavarur, 100 hyrje për punonjës nga Amerika e Jugut me prejardhje italiane, dhe rreth 12 mijë konvertime në leje qëndrimi për punë të lejeve të lëshuara për motive të tjera, pra kuota që u dedikohen atyre që jetojnë në Itali. Më të shumta do të jenë hyrjet për punë sezonale, që duhet të kapin shifrën 13 mijë, njësoj si vitin e shkuar.

“Nëse këto shifra do të konfirmohen, praktikisht po vazhdohet me bllokimin e hyrjeve në Itali për punë të varur jo-sezonale. Zgjedhje kjo që qeveria justifikon me krizën ekonomike dhe praninë e shumë të papunëve, italianë e të huaj, por që sidoqoftë nuk duket largpamëse” thotë për Stranieriinitalia.it Giuseppe Casucci, Koordinator kombëtar i departamentit për politikat migratore të sindikatës UIL.

“Këtë vit – vë në dukje sindikalisti – në Itali kanë mbërritur më pak refugjatë por dyfishi i migrantëve ekonomikë, pra ka një trysni të fortë afrikanësh që kërkojnë punë. Nëse mbyllim të gjitha kanalet e rregullta, i detyrojmë këta njerëz të kapërcejnë Mesdheun me ç’të munden. Për më tepër, përllogaritjet konfirmojnë që në vitet e ardhshme, për shkak të plakjes së popullsisë, do të ketë më shumë nevojë për krah pune të huaj, ndaj është çasti që t’i kthehemi programimit serioz të hyrjeve”.

Të kënaqur me hyrjet e reja sezonale janë përfaqësuesit e sektorit të bujqësisë, që në periudha të caktuara (korrjesh, për shembull) nuk mund t’ia dalin pa këtë krah pune.

“Shifrat janë të mjaftueshme, pasi në fusha angazhojmë edhe punonjës komunitarë të rinj (rumunë, për shembull) dhe të papunë që janë tashmë në Itali, por mbi të gjitha jemi të kënaqur që qeveria po lëviz në kohë” komenton Roberto Caponi nga Confagricoltura. Në fakt kërkesat e punësimit këtë herë mund të nisen që në shkurt e jo në pranverë të vonë siç ka ndodhur vitet e shkuara.

“Gjithnjë kemi kërkuar – nënvizon Caponi – që dekreti i flukseve të botohet më parë, në mënyrë që punonjësit sezonalë të huaj të mund të vijnë që në mars, prill, kur fillojnë korrjet e para. Tani urojmë që edhe pjesa tjetër e procedurës, që parashikon lehtësime të ndryshme, të ecë shpejt”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

“Na mbytën katunarët!”

Dekreti i flukseve 2016. Teksti, shifrat dhe udhëzimet