in

Dekreti i flukseve 2016. Kujdes, nuk është sanatore

Qindra mijëra imigrantë të parregullt nisin të shpresojnë se shpejt do të fusin në xhep lejeqëndrimin. Nuk është kështu

 

Romë, 5 shkurt 2016 – “Ka dalë dekreti i flukseve, më në fund do të bëhem me leje qëndrimi”. Nuk është e vërtetë. Mos u besoni atyre që ju thonë të kundërtën.

Botimi në Gazetën Zyrtare i dekretit të flukseve 2016 është përhapur gojë mbas goje e qindra mijëra imigrantë të parregullt kanë nisur të shpresojnë. Janë në Itali pa një dokument që t’u lejojë të jetojnë e të punojnë në dritë të diellit dhe kanë menduar, në mirëbesim, se ndoshta ka ardhur çasti i mirë që edhe ata të marrin një lejeqëndrim.

Me keqardhje duhet thënë se nuk është kështu. Le të provojmë të shpjegojmë pse.

Vite më parë, dekretet e flukseve mund të përdoreshin si të ishin sanatore. Mjaftonte të gjenit një punëdhënës të gatshëm të paraqiste kërkesë punësimi. Nëse punëdhënësi arrinte të fitonte një kuotë e të merrte një autorizim për punësimin tuaj, ktheheshe në atdhe, merrje një vizë hyrjeje për punë dhe riktheheshit në Itali për të nënshkruar kontratën e për të kërkuar lejen e qëndrimit.

Por vitet e fundit, përfshirë edhe këtë radhë, ky mekanizëm nuk mund të funksionojë më. Në fakt, dekreti i flukseve nuk parashikon ardhje të mirëfillta për punonjës të varur.

Ka pak, shumë pak, përjashtime: 100 punonjës me origjinë italiane nga Amerika Latine, 100 punonjës nga vende jokomunitare që morën pjesë në Expo 2015 dhe 1000 punonjës që kanë marrë pjesë në programe formimi në vendlindje. Këto të fundit janë “projekte speciale”, të realizuara në ato vende nga Ente dhe shoqata italiane. Vetëm kush ka marrë pjesë në këto projekte mund të vijë në Itali, dhe vetëm nëse ka një ofertë pune.

E gjithë punonjësit e tjerë? Muratorë, punëtorë, bashkëpunëtore shtëpiake (colf e badanti…? Dekreti i flukseve nuk është për ta. Nuk mund të vijnë. Edhe nëse janë tashmë këtu pa document qëndrimi dhe kanë gjetur një dikë që mund t’i punësojë, nuk mund të përfitojnë: punëdhënësi nuk mund të paraqesë kërkesë në kuadrin e këtyre flukseve dhe as t’u lidhë kontratë të rregullt pune.

As 13 mijë hyrjet për punë sezonale nuk mund të përdoren “për t’u legalizuar”. Para të gjithash, janë hyrje për kohë të përcaktuar: me autorizim për punë sezonale vjen në Itali, por vetëm për disa muaj, aq sa zgjat kontrata sezonale, e më pas duhet të kthehesh në vendlindje, përndryshe bëhesh (ose kthehesh) në immigrant të parregullt, klandestin. Për më tepër, kontrollet mbi punëdhënësit (tipi i ndërmarrjes, xhiroja vjetore, punonjësit e tjerë të punësuar) janë të tilla që nuk lënë vend për kërkesa “të rreme” ose që sidoqoftë nuk mund të garantojnë një punësim efektiv. Konfirmojnë këtë gjë edhe flukset sezonale të vitit të shkuar. Kishte 13 mijë kuota në dispozicion, u paraqitën 30 mijë kërkesa, por në nëntor rezultonte se u pranuan më pak se 5 mijë. Të tjerat nuk përmbushnin kriteret.

Për sa më sipër, është e udhës të përsëritet e të futet mirë në kokë: dekreti nuk është sanatore. Nëse kujtonit se ishte një mënyrë për të legalizuar qëndrimin e paligjshëm në Itali, fatkeqësisht, e kishit babim. Nëse dikush përpiqet t’ju mbushë mendjen se mund të merrni një lejeqëndrim me dekretin e flukseve, ndoshta është thjesht i keqinformuar, por ndoshta e di mirë si janë gjërat, por po e provon t’jua hedhë për t’ju zhvatur ca para, në këmbim të një ndihme që nuk mund t’ju japë. mos lejoni askënd t’ju mashtrojë.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Shtetësia italiane, informacione me telefon nga ministria e Brendshme

Parma. Po nisej për Angli me dokument italian të vjedhur, arrestohet në aeroport