in

Shtetësia italiane, informacione me telefon nga ministria e Brendshme

Departamenti për Liritë Qytetare dhe Imigracionin ka vënë në funksionim një pikë dëgjimi në numrin telefonik 06/46539591. Përgjigjen vullnetarët e Shërbimit Civil

 

Shtetësia italiane, informacione me telefon nga ministria e BrendshmeRomë, 5 shkurt 2016 – Mund të kërkoj tani shtetësinë italiane? Ç’kritere duhet të përmbush? Në ç’pikë është praktika që kam paraqitur më datë …?

Ata që duan të bëhen italianë e që kërkojnë informacione konkrete mbi këtë çështje janë një ushtri e tërë që rritet nga viti në vit. Mjaft të mbahet parasysh që nga 30 mijë aplikime për shtetësinë italiane të paraqitura në vitin 2006 është kaluar në 101 mijë të vitit 2014 dhe të paktën 130 mijë gjatë vitit të shkuar.

Rritja e numrit të kërkesave ka vënë nën presion zyrat e ministrisë së Brendshme që ndërkohë nuk kanë pasur rritje personeli. Duhet të shqyrtojnë gjithnjë e më shumë praktika por duhet edhe të japin informacione. E pikërisht në dhënien e informacionit këtej e tutje do të kenë një ndihmë djem e vajza të Shërbimit Civil.

Ministria e Brendshme ka lajmëruar realizimin e një “pike dëgjimi”, në numrin telefonik 06/46539591,  për të sqaruar dyshimet e atyre që duan të bëhen shtetas italianë. “Vullnetarët e Shërbimit Civil Kombëtar – lexohet në një komunikatë të ministrisë – do t’u përgjigjen qytetarëve lidhur me shtetësinë nga e hëna në të premte nga ora 9 deri në 13”.

Vullnetarët janë përzgjedhur dhe kanë bërë një kurs formimi në kuadrin e projektit “Pritja dhe integrimi i të huajve: dhënia e shtetësisë italiane”, i realizuar dhe i financuar nga Departamenti për Liritë Qytetare dhe Imigracionin. Janë gjithsej 37 vetë, 20 prej të cilëve në ministrinë e Brendshme do të merren me “pikën e dëgjimit”, 17 të tjerët do të jenë të ndarë në prefekturat e Romës, Bolonjës, Modenës e Reggio Emilia-s. 

Alo, ministria e Brendshme? Shënoni numrin e provoni të telefononi në orarin e dhënë nga ministria. Ndoshta do të keni më shumë fat se ne që e provuam më kot gjithë paraditen.

Stranieriinitalia.it/ Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Shërbimi civil kërkon 3 mijë të rinj. Ditët e fundit për të aplikuar

Dekreti i flukseve 2016. Kujdes, nuk është sanatore