in

Mogherini në Tiranë në mars. Në fokus përmbushja e 5 përparësive kyçe

Por më parë do të shkojë Ditmir Bushati në Bruksel gjithnjë për të diskutuar mbi axhendën integruese të Shqipërisë në BE

 

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini do të vizitojë Tiranën në datat 4 deri 6 mars. Kjo do të jetë vizita e saj e parë në kryeqytetin shqiptar që pas marrjes së detyrës së lartë në BE. Në fakt në korrik 2014 ajo ishte në Tiranë si ministre e Jashtme italiane e Qeverisë Renzi dhe i shprehu homologut të saj Bushati mbështetjen e plotë të Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në vizitën e ardhshme, gjatë 48 orëve të qëndrimit në Shqipëri, Mogherini pritet të diskutojë për përmbushjen e 5 përparësive kyçe dhe veçanërisht realizimin e reformës në drejtësi, me qëllim që Shqipëria të mund të marrë një datë për hapjen e negociatave. Kujtojmë që hapja e negociatave për pranimin në BE, kushtëzohet nga përmbushja e plotë e 5 përparësive të mbetura: Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar; Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; Lufta kundër korrupsionit; Lufta kundër krimit të organizuar; Mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë në datën 16 shkurt ministri i Jashtëm Ditmir Bushati do të zhvillojë një vizitë në Bruksel. Ai do të ketë takime me pikërisht me Mogherinin dhe me Komisionerin Johanes Han. Në fokus të këtyre takimeve do të jetë axhenda integruese sikurse dhe zhvillimet më të fundit në rajon dhe më gjerë.

 

Sanremo 2016. Ermal Meta mes katër finalistëve

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtare të Turizmit në Milano