Shumëfishohen sinjalizimet lidhur me një praktikë të hedhur poshtë nga gjykatësit. “Raste të reja në Campania”. Tre deputetë të PD-së kërkojnë ndërhyrjen e Alfanos: “Nevojitet një qarkore”
Romë, 7 mars 2016 – Ke humbur punën? Kuestura të heq edhe kartën e qëndrimit, pra lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë, që duhet të jetë e përhershme.
“Ndodhte kështu në Milano, nuk ndodh më. Çështja është e mbyllur” tha ministria e Brendshme para Komisionit Evropian, që i kërkonte sqarime mbi një praktikë pune që gjykatësit kishin hedhur poshtë si të paligjshme. E meqë ndodhte kështu vetëm në Milano (sipas ministrisë), ajo nuk e pa të arsyeshme t’u niste një qarkore të gjitha kuesturave për t’u shpjeguar që karta e qëndrimit nuk mund të hiqet për arsye që kanë të bëjnë me të ardhurat e mbajtësit.
Stranieriinitalia.it është marrë disa herë me këtë gjë e ka mbledhur sinjalizime sipas të cilave “kurthi” e Kuesturave nuk ka ndodhur vetëm në Milano, por, për shembull, edhe në Modena apo Romë. E dyshimi është se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një praktikë të përhapur që do të meritonte më shumë vëmendje dhe zgjidhje përfundimtare nga ministria e Brendshme.
“Këto ditë na kanë sinjalizuar dy raste në Campania” konfirmon Maurizio Bove, president i Anolf Cisl të Milanos, shoqatë që çoi përpara e fitoi një ankimim përpara TAR-it të Lombardisë dhe që ngriti çështjen në Bruksel. “Kuesturat e Casertas dhe Napolit u kanë hequr kartën e qëndrimit për mungesë të ardhurash të mjaftueshme një qytetari nga Tunizia dhe një tjetri nga Bangladeshi, që i janë drejtuar tashmë gjykatës”.
Edhe pse ministria e Brendshme nuk e sheh, çështja duket se është akoma e hapur. “Tani po shohim mundësinë që t’i sinjalizojmë edhe këto raste të reja Drejtorisë së Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian. Sjellja e Kuesturave – nënvizon Bove – shkel edhe normativën evropiane, jo vetëm atë italiane”.
Ndërkaq, më 1 mars, deputetët e PD-së Marilena Fabbri, Khalid Chaouki e Paolo Beni i kanë kërkuar sërish ministrit të Brendshëm të ndërhyjë. Në një kërkesë për sqarime të paraqitur në Komisionin për Çështjet Kushtetuese e pyesin Angelino Alfanon “sa raste heqjesh “të pajustifikueshme” kartash qëndrimi ka pasur gjatë vitit 2015” dhe nëse ai nuk e konsideron “të detyrueshme të thërrasë personat e interesuar nga kjo praktikë e paligjshme për t’u ridhënë, pa asnjë shpenzim nga anë e tyre, dokumentin e hequr”.
Deputetët kërkojnë të dinë nga ministri edhe “nëse nuk e sheh akoma të udhës të japë informacion të njëjtë në të gjithë territorin italian rreth interpretimit të përpiktë dhe aplikimit të normave”. Për të ndaluar këtë padrejtësi do të mjaftonte një qarkore e thjeshtë. Vërtet të jetë kaq e vështirë?
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)