in

Tahiri në Radio 24: “Nuk do të lejojmë që Adriatiku të përdoret sërish nga kriminelët”

Ministri i Brendshëm i përgjigjet pyetjeve të gazetares italiane mbi bashkëpunimin mes Italisë e Shqipërisë për t’i bërë ballë një vale të mundshme migrantësh. “Nuk duhet bërë dallim mes vendeve të BE-së dhe të tjerave, nevojiten zgjidhje të përbashkëta”

Romë, 13 mars 2016 – Duke ndier gjithnjë e më të mundshme hapjen e një itinerari të ri që mund të marrin mijëra refugjatë e migrantë të bllokuar në Greqi, Radio 24 është lidhur telefonikisht me ministrin e Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri.

“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Italinë në luftën kundër trafikut të drogës, terrorizmit dhe kriminalitetit – ka pohuar Tahiri – Në këtë kuadër kemi menduar që duhet të bashkëpunojmë shumë më tepër përsa i përket sigurisë në Shqipëri, Itali e më gjerë”.

“Kemi rënë dakord me ministrin Alfano që Italia të na ndihmojë me infrastruktura, me shkëmbim informacionesh e duke bashkëvepruar në përballimin e një problemi që nuk mund të jetë vetëm i Shqipërisë apo vetëm i Italisë por duhet konsideruar një problem i përbashkët . duhet gjetur një zgjidhje evropiane për përballimin e emergjencës humanitare  që po verifikohet në dyert tona”.

Përsa i përket patrullimit të përbashkët të kufirit, Tahiri as nuk pohon e as nuk mohon lajmin e mbërritjes së forcave italiane për t’u rreshtuar krah atyre shqiptare në kufirin me Greqinë, por thotë: “Kemi rënë dakord që ta nisim me shkëmbim informacionesh e përforcim të kapaciteteve tona për patrullimin e kufijve, qoftë detarë qoftë tokësore, që nuk do të thotë të kemi policë italianë në Shqipëri, por gjithçka është në diskutim e do të vendosim së bashku për të bërë çka është më e mira për Shqipërinë dhe të gjithë Evropën në përballimin e emergjencës humanitare të migrantëve”.

Më tej, si për të qetësuar palën italiane, Tahiri saktëson: “Jemi të vendosur të mos lejojmë që Adriatiku të përdoret sërish, siç ka ndodhur në të shkuarën, nga kriminelët. Me siguri të plotë, kjo nuk do të ndodhë më. Jemi të vendosur t’i bëjmë ballë emergjencës humanitare të gjithë bashkë, e kur them bashkë, nuk e kam fjalën vetëm për Italinë e Shqipërinë por për të gjithë BE-në. ne kemi një plan emergjene për t’u bërë ballë çasteve të para të krizës, nëse kjo do të ndodhë, por më pas është e detyrueshme të veprojmë të gjithë bashkë”. “Sepse për të përballuar këtë problem – është i bindur ministri i Brendshëm – nuk duhet bërë dallim mes vendeve të BE-së dhe atyre jshtë BE-së, por duhet gjetur një sistem kolektiv për t’i bërë ballë një problemi kolektiv. Asnjë vend nuk mund t’ia dalë i vetëm”.

 

 

 

 

 

 

 

Italiani në Tiranë denoncon se u gjobit padrejtësisht: “Dua drejtësi. Ku ta gjej?”

Libri gratis per tutti, a Bologna il posto sognato è realtà