Dënimi për vrasjen nga pakujdesia të 26-vjeçarit Arito Canaj katër vjet më parë
Romë, 1 prill 2016 – Katër vjet pas ngjarjes, arrin dënimi në shkallë të parë për policin: 10 muaj burg. Polici Raffaele Bracale u dënua me proces të shkurtuar për vrasje nga pakujdesia të 26 vjeçarit Arito Canaj (që fillimisht u identifikua si Panajot Hola), ngjarje që ndodhi natën vonë të 20 qershorit 2012. Bashkë me Bracalen u gjykuan edhe tre kolegë të tij por për ta u kërkua arkivimi i çështjes.
Rreth orës 23 të 20 qershorit 2012, gjatë një kontrolli antidrogë të policisë së Grossetos, makina (në të cilën u gjetën edhe 10 kg marihuanë) ku udhëtonin dy shqiptarë viktima dhe kushëriri i tij Maksim Dormemaj, fillimisht kishte ngadalësuar pas sinjalit të ndalimit të dhënë nga dy agjentët, por më pas kishte dalë nga radha e makinave të ndaluara dhe ishte larguar me shpejtësi të madhe duke aksidentuar dy policët.
Pati disa të shtëna nga policia e një prej plumbave e kapi Canajn në pjesën e kraharorit nën sqetullën e majtë. Ndërroi jetë gjatë natës në spitalin e Grossetos.
Në mbështetësen e kokës së vendit të pasagjerit u gjet një tjetër plumb e të tjerë akoma u gjetën në tokë.
Polici u mbrojt gjithnjë duke thënë se u godit nga makina e shqiptarëve e nuk arriti të kontrollonte trajektoren e plumbit, ndërsa avokati i familjarëve të viktimës kërkonte që ai të dënohej vrasje të vullnetshme. Për gjykatësit, polici u konsiderua fajtor për vrasje nga pakujdesia.
Lexo edhe: