Do t’i marrin 500 azilkërkuesit e parë që do të kërkojnë të largohen. Ministrja e Integrimit: “Kështu kursejmë mbi mikpritjen”
Norvegji, 26 prill 2016 – Një bonus ekstra prej 10 mijë koronash, afro njëmijë euro. Është oferta e Norvegjisë për migrantët e refugjatët mjaft që të largohen sa më parë.
Bonusi është “ideuar” nga Drejtoria Norvegjeze për Imigracionin (UDI) që shpreson të kursejë kështu mbi mbajtjen e migrantëve në qendrat e pritjes. Programi është shpallur të hënën dhe, sipas televizionit public NRK, parashikohet të eksperimentohet për 6 javë. Më pas do të vlerësohen rezultatet e arritura e do të vendoset nëse do të vazhdohet më tej.
Mekanizmi është i ngjashëm me një lotari. Kontributi 10 mijë korona do t’u jepet 500 personave të parë që do të paraqisin kërkesë riatdhesimi. Shuma do t’u shtohet 20 mijë koronave që parashikohen nga dhjetori i shkuar për programin e riatdhesimeve vullnetare
“Duhet të nxisim riatdhesimet vullnetare, duke dhënë më shumë para për nisjet. Kështu do të kursejmë shumë sepse kjo ofertë na kushton shumë më pak se të mbajmë njerëzit në qendrar e pritjes” u shpreh ministrja për integrimin Sylvi Listhaug.
Javën e shkuar e njëjta ministra tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare sepse u fotografua e filmua ndërsa hidhej me një tutë portokalli në ujërat e Lesbos. “Donte të kuptonte çfarë provonin refugjatët” thanë persona pranë saj. “Herën tjetër – është një nga kritikat në rrjetet sociale – do të mbyllë sytë për të kuptuar ç’do të thotë të jesh i verbër”.