in

Shtetësia italiane. Një mal amendamentesh për të ndalur reformën

Mbi 7 mijë amendamentet e paraqitura në Komisionin për Çështjet Kushtetuese, pjesa dërrmuese nga Lega. Tani i takon mazhorancës të kapërcejë obstrukcionizmin e atyre që nuk duan që bijtë e imigrantëve të jenë italianë

Romë, 28 prill 2016 – “Do të ngremë barrikada kundër reformës së shtetësisë”, kishin thënë Lega e Veriut dhe Forza Italia. Me keqardhje për bijtë e imigrantëve, duhet thënë se e mbajtën fjalën.

Diskutimi i përgjithshëm në Komisionin për Çështjet Kushtetuese u mbyll më 3 shkurt, dhe u pasua, më 30 mars dhe 12 prill, nga një cikël seancash dëgjimore informale të marrë mendimin e ekspertëve dhe të shoqatave mbi normat e reja për t’u bërë italianë. Më në fund topi i kaloi sërish senatorëve, që duhet të paraqitnin amendamentet për tekstin e miratuar tetorin e shkuar në Dhomën e Deputetëve.

Kishin kohë deri dje në orën 13:00 dhe rezultati është që ka një mal me amendamente, 7 mijë, pjesa më e madhe e të cilave të paraqitura nga legistët. Do të duhet kohë edhe vetëm për t’i sistemuar e për t’i botuar online, për t’i shqyrtuar e votuar nuk do të mjaftonte kjo legjislaturë e një tjetër. Çfarë thotë secili amendament, tani kalon në plan të dytë, në fund të fundit të gjitha amendamentet kanë të njëjtën frymë: qendra e djathtë nuk e do reformën.

Shumë nga ato amendamente, thuajse identike mes tyre e ndryshijnë për një presje apo fjalë të ndërruar me një sinonim, do të bien si të papranueshme, dhe këtë e ka në dorë presidenca e Komisionit, por do të mbeten gjithsesi në nummër të mjaftueshëm për të penguar ecurinë e reformës dhe në atë pikë do t’i takojë mazhorancës të ndërmarrë kundërmasat.

Mjetet për kapërcimin e obstrukcionizmit ekzistojnë në rregulloret e praktikën parlamentare, nga kalendarizimi i detyrueshëm deri te maksi-amendamentet mbi të cilët qeveria kërkon  votëbesim. Janë skenarë që nuk mund të mos hipotizohen nëse duam vërtet që brezat e dytë të kenë një shanc.

Nuk do të jenë ato 7 mijë amendamente që do të vrasin reformën, me kusht që ata që deri më sot kanë thënë se do ta çojnë atë deri në fund, të mos mbrapsen.

Elvio Pasca

 

Lombardi. 31 arrestime për trafik droge

Sa e bukur është Shqipëria e parë nga lart