in

Gianni De Biasi: Me Zvicrën paguam shtrenjtë gabimet tona

Gianni De Biasi nuk e fsheh zhgënjimin për humbjen me Zvicrën të përcaktuar nga episodet. Lojtarët e kombëtares nuk ditën të shfrytëzojnë rastet jo të pakta të krijuara në sulm dhe gabuan në mbrojtje. Dhanë maksimumin e tyre por i vunë shkelmin rezultatit “nga mungesa e vëmendjes”.
Në një intervistë dhënë Ermal Kukës për Panorama Sport, De Biasi thotë se rezultati do të kishte qenë tjetër, nëse lojtarët nuk do të ndienin mbi supe ngarkesën e madhe emocionale të ndeshjes.

Pësojmë sërish gol në pesë minutat e para…

Sepse futemi në fushë shumë të ngarkuar emocionalisht, ndërkohë që duhet të bëjmë komplet tjetër gjë. E kam thënë edhe në konferencën për shtyp përpara këtij takimi se ai që do të arrijë që ta zgjidhë më mirë tensionin, do të bëjë edhe lojën e tij. Ne vazhdojmë që ta vuajmë këtë gjë në minutat e para. Gjithashtu, ndëshkimi i Canës ndikoi për vazhdimësinë.

Sipas jush, çfarë ndodhi për këtë episod?

Nuk di çfarë të them, ama ai është 33 vjeç dhe një lojtar që ka eksperiencë. Të luante ndaj Zvicrës në kampionatin europian, ishte takim të cilin e përjetoi shumë, por duhet ta kishte përballuar më mirë. Mbase gaboi në faullin e parë që ishte krejtësisht i evitueshëm.

Ama, Shqipëria sikur luajti më mirë me dhjetë…

Atëherë do të kërkojmë që të luajmë me dhjetë në ndeshjet e tjera… Na duhet që të rikuperojmë për ndeshjen tjetër, pasi disa lojtarë janë të lodhur, ndërsa pjesa tjetër duhet të përgatitet më mirë. Ne luajtëm më mirë, pasi pësuam gol sepse ishim duke humbur dhe logjikisht duhet sulmonim për të barazuar rezultatin. Edhe kur mbetëm me 10 lojtarë arritëm të krijonim 2 raste shumë të mira për të shënuar, por nuk ia dolëm. Megjithatë kjo ishte gjëja pozitive e ndeshjes. Ndërkohë, Zvicra shënoi golin e ndeshjes në tentativën e parë.

U pa që Xhaka dhe Abrashi mbajtën peshën e mesfushës…

Xhaka ynë apo i atyre?

Yni, u pa që ishte grintoz dhe kishte dëshirë për të luajtur…

Po, kemi shumë nevojë për këta lojtarë që marrin përsipër gjëra të mëdha, gjithashtu që të dinë të japin kontribut për ekipin edhe në disa role të tjera.

Gabuam sërish në prapavijë…

 

Unë nuk jam mësuar të flas për reparte të veçanta, por për të gjithë skuadrën. Duhet të ngrihemi dhe të luajmë me personalitet. Isha i bindur se ndeshjen me Zvicrën mund ta luanim akoma më mirë dhe mund ta vinim më shumë në vështirësi kundërshtarin. Ne treguam të gjitha anët tona më të mira, por i shkërmoqëm nga mungesa e vëmendjes.

 

Gianni De Biasi: Në ndeshjen me Zvicrën paguam shtrenjtë gabimet tona

Shtetësia italiane. Senatorja Lo Moro: “Tani të rinisë menjëherë puna mbi reformën”