in

Shtetësia italiane. Senatorja Lo Moro: “Tani të rinisë menjëherë puna mbi reformën”

Ddl 2092 është i bllokuar prej muajsh, i fundosur nga mëse 7 mijë amendamente. “PD dhe aleatët e saj e kanë akoma për zemër ligjin për bijtë e imigrantëve. Çasti i duhur është tani”

Romë, 13 qershor 2016 – “Mjaft me shtyrje. Pas votimit të dytë për kryetarët e bashkive do të kërkoj që reforma e shtetësisë të rinisë menjëherë ecurinë e saj në Komision. Nuk ka më asnjë arsye, as kohë për ta shtyrë akoma”.

Senatorja Doris Lo Moro, PD, raportuese e reformës së shtetësisë për brezat e dytë në Komisionin për Çështjet Kushtetuese, jep një mesazh të dyfishtë. Kolegëve të saj parlamentare, që të shkojnë më në fund përpara, por edhe brezave të dytë që përpallë këtyre shtyrjeve të vazhdueshme e pa fund po humbin shpresat: “Reforma do të bëhet” thotë për Stranieriinitalia.it.

E megjithatë, po të shohësh ecurinë në Senat të projektit të dekretit legjislativ 2092 “Dispozita mbi shtetësinë”, është e lehtë të të pllakosë dëshpërimi. Teksti i miratuar në Dhomën e Deputetëve (ja çfarë parashikon), që mund të kthejë menjëherë në italianë 800 mijë bij imigrantësh e më pas 50 mijë çdo vit, mbërriti në Senat që në tetor 2015, debati i përgjithshëm u mbyll në shkurt e që atëherë ka patur vetëm dy ditë seancash dëgjimore.

Ndërkaq, janë paraqitur mëse shtatëmijë amendamente, thuajse të gjitha nga Lega, që në betejën e saj kundër reformës ja luajtur më së miri kartën e obstruksionizmit. Kaq shumë, sa zyrat e Komisionit akoma nuk kanë arritur t’i rendisin, edhe sepse (në mbrojtje të zyrtarëve dhe punonjësve që po merren me këtë punë) nga Komisioni nuk kanë mbërritur nxitje për përshpejtim të punës.

Ai mal amendamentesh, ama, sipas senatores Lo Moro nuk është i pakapërcyeshëm. “Besoj që u paraqitën kaq shumë edhe sepse po afroheshin zgjedhjet komunale. Me të përfunduar votimet, situata do të kthehet më e qetë e do të mund të rinisë një ballafaqim serioz mbi përmbajtjen e reformës”.

Zgjedhjet në njëfarë mënyre i preu rrugën reformës. Në prag të votimit, mazhoranca nuk deshi të shtyjë fort një temë të konsideruar tejet të ndjeshme, e për më tepër, Komisioni humbi edhe disa seanca për shkak të zgjedhjeve.

“Në seancën më të parë pas votimit të dytë për kryetarët e bashkive, do të kërkoj të vihet menjëherë në rend të ditës ddl2092” premton Lo Moro, që ka besim se do të shohë mazhorancën kompakte. “Partia Demokratike – shpjegon – e ka akoma për zemër reformën e nuk kam arsye të besoj që marrëveshja e arritur në Dhomën e Deputetëve me aleatët tanë të mos qëndrojë në këmbë edhe në Senat”. Me pak fjalë, na përgatit për një fushatë verore mbi të drejtat e brezave të dytë: “Çasti i duhur është tani”.

Elvio Pasca

 

Gianni De Biasi: Me Zvicrën paguam shtrenjtë gabimet tona

Policia zvicerane bën tifozllëk për … Shqipërinë