Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, nxiti partitë politike që të tregojnë lidership dhe të arrijnë një marrëveshje, mbi një propozim të ri që sipas saj reflekton idetë e mazhorancës, opozitës dhe Komisionit të Venecias
Tiranë, 11 korrik 2016 – Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland mbështeti gjatë vizitës në Tiranë një propozim të ri për zgjidhjen e ngërçit për reformën në drejtësi dhe u bëri thirrje partive politike që të arrinin një marrëveshje.
Në konferencën për shtyp që përmbylli vizitën 4 orëshe, diplomatja e lartë amerikane e cilësoi kohën e mbetur deri në seancën parlamentare të 21 korrikut si “moment tjetër vendimtar për demokracinë shqiptare”. “Ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje për reformën në drejtësi. Populli shqiptar po pret”, deklaroi Nuland.
Reforma në drejtësi ishte çështja kyçe e diskutimeve që zyrtarja e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit zhvilloi të dielën në Tiranë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama. Gjatë këtyre takimeve, Nuland ka hedhur mbi tavolinë një propozim të ri, që sipas saj reflekton ide të marra nga qeveria, opozita dhe opinioni i Komisionit të Venecias.
Ndihmës-sekretarja Nuland i dha një mbështetje të fortë punës së bërë nga ambasadori Donald Lu dhe përfaqësuesja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin dhe vlerësoi variantin e ri të propozuar prej tyre në 24 orët e fundit si një “zgjidhje që kombinon rolin monitorues të bordit të ndërkombëtarëve me ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë”.
Ajo u shpreh gjithashtu optimiste mbi mundësinë e arritjes së një kompromisi mes qeverisë dhe opozitës, ndërsa vlerësoi punën e bërë dhe vullnetin e të dyja palëve për arritjen e kompromisit për reformën.
“Në takimet me kryeministrin dhe zotin Basha, të dyja palët shprehën dëshirën për të arritur një marrëveshje. Tani është koha për lidership”, bëri thirrje Nuland.
Vizita në Tiranë e nënsekretares amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland, shihet nga opinioni publik si një përpjekje e fundit për t’u dhënë shtysë negociatave të ngrira mes palëve dhe arritjes së një marrëveshjeje që do të mundësonte miratimin e reformës. Megjithatë, opozita dha shenja të zbehta lëkundjeje nga qëndrimi i saj i mëparshëm mbi zbatimin e paragrafit 88 të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi pas takimit me Nuland se diskutimet u fokusuan mbi “tre propozimet që Partia Demokratike ka bërë për reformën në drejtësi dhe propozime të tjera”, ndërsa theksoi se opozita i mbetet plotësisht besnike zbatimit të paragrafit 88 të Komisionit të Venecias.
“Ne jemi të bindur se kjo reformë mund të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë përveç konsesusit politik,” deklaroi Basha.
Kryeministri Edi Rama, përmes një njoftimi për shtyp u shpreh i hapur për çdo kompromis që nuk cenon thelbin e reformës.
“Shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cenon thelbin e reformës dhe njëkohësisht, vlerësohet nga partnerët strategjikë si në përputhje të plotë me objektivin e përbashkët për një drejtësi të denjë për një vend anëtar të Bashkimit Europian”, tha ai. (BIRN)