Jetoj në Itali prej 15 vjetësh, gjithnjë me leje qëndrimi. Për punë më është dashur të transferohem në qytete të ndryshme por gjithnjë jam regjistruar në Gjendjen Civile.
Për të paraqitur kërkesën për shtetësinë italiane, sa vjet duhet të jem rezident në të njëjtën komunë?
Në bazë të nenit 9, paragrafi 1 i Ligjit 91/92, kërkesa e shtetësisë për rezidencë mund të paraqitet pas periudhës efektive të rezidencës në territorin italian (periudhë që varet nga shtetësia e të huajit: 10 vjet për shqiptarët e jokomunitarët në përgjithësi, 4 vjet për shtetasit e BE-së dhe 5 vjet për personat e paatdhe). Për të kërkuar shtetësinë italiane për natyralizim konsiderohen të gjitha vitet e rezidencës në Itali, pavarësisht nëse këto vite keni qenë rezident në të njëjtën komunë apo në të ndryshme.
Në rastin konkret, fakti që i huaji ka jetuar në qytete të ndryshme, duke “transferuar” gjithnjë rezidencën e vet, nuk ndikon në llogaritjen e viteve të nevojshme për përmbushjen e kriterit të rezidencës në Itali. Do të mjaftjë që në formularin e kërkesës së shtetësisë italiane, i interesuari të shënojë të gjitha komunat e ndryshme në zyrat e Gjendjes Civile të të cilave është regjistruar, duke shskruar edhe datat e sakta kur ka transferuar rezidencën nga një vend në tjetrin.
Sipas ligjit në fuqi, një i huaj konsiderohet rezident në territorin italian nëse përmbush qoftë kushtet e parashikuara nga normativa mbi hyrjen e qëndrimin e rregullt në Itali qoftë nga ato të parashikuara nga normat lidhur me regjistrimin në Zyrat e Gjendjes Civile (neni 1 D.P.R. nr. 572/93). Pra për t’u konsideruar ligjërisht rezident në Itali, i huaji duhet të ketë një dokument qëndrimi të vlefshëm dhe të jetë i regjistruar në Gjendjen Civile të Komunës ku jeton.
Fakti që i huaji gjatë periudhës së kërkuar ka jetuar në qytete të ndryshme duke zhvendosur në to edhe rezidencën e vet nuk ndikon negativisht në numërimin e viteve të përgjithshme të rezidencës në Itali, pasi nevojitet që rezidenca të jetë e vazhdueshme në Itali dhe jo në një komunë të vetme të saj.
Kujdes!
Rregullorja e zyrave të Gjendjes Civile të popullsisë rezidente parashikon detyrimin për shtetasit jokomunitarë të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile t’i përtërijnë deklarimin e vendbanimit të zakonshëm, brenda 60 ditëve nga përtëritja e lejes së qëndrimit. Mospërtëritja e deklarimit sjell fshirjen nga lista e rezidentëve gjashtë muaj pas datës së skadencës së lejes së qëndrimit. Përpara fshirjes së emrit, zyra e Gjendjes Civile i nis një lajmërim të interesuarit në adresën e fundit të deklaruar prej tij duke e ftuar të paraqitet brenda 30 ditëve në komunë për sistemimin e situatës. Në rast se i huaji nuk paraqitet, fshirja nga lista bëhet për mosgjetje të personit dhe Komuna ia komunikon këtë gjë autoriteteve të sigurisë publike.
Ndaj është e këshillueshme t’i komunikohet zyrës së Gjendjes Civile çdo ndryshim i vendbanimit në mënyrë që të shmanget fshirja nga lista e rezidentëve gjë që mund të rrezikojë përmbushjen e kriterit të rezidencës së vazhdueshme të nevojshme për paraqitjen e kërkesës së shtetësisë.
In italiano: Cittadinanza, tutti gli anni di residenza devono essere nello stesso Comune?
Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)