Është dënuar edhe me 8 vjet e 5 muaj burg
Romë, 12 shtator 2016 – Sipas hetuesve, ishte kreu i një grupi kriminal që nga Amerika e Jugut, përmes Portugalisë e Spanjës, sillte në Itali sasi të mëdha kokaine. Është fjala për Bledar Pajana, i quajtur edhe “Messi i Shqipërisë” për ngjashmërinë me futbollistin e famshëm apo “Mbreti i kokainës” në Evropë. U arrestua në dhjetor 2014 në Holandë, për llogari të drejtësisë italiane (u ekstradua në mars 2015), që e dënoi me 8 vjet e 5 muaj heqje lirie.
Guardia di Finanza nuk e “mbylli” kapitullin Pajana me arrestimin e tij: kontrollet mbi gjendjen e tij ekonomike financiare kishin nxjerrë në dritë që pasuritë e tij ishin të pajustifikueshme nga të ardhurat e deklaruara. Kështu gjykata vendosi edhe për sekuestrimin e pasurisë së Pajanës, mbi 1 milion euro, apo një makinë luksoze, një apartament, shuma parash në të holla, kuota pronësie të një ndërmarrjeje ndërtimi dhe katër llogari bankare.