Nga ministria e Jashtme udhëzime të reja Kuesturave: “Ligji nuk vë kufizime. Për të ardhurat mund të llogariten edhe ato të familjarëve”. Qarkorja
Romë, 4 tetor 2016 – Vetëm dy faqe, por u japin shpresë qindra mijëra imigrantëve viktima të krizës ekonomike, që rrezikonin të mbeteshin pa leje qëndrimi.
Pas këmbënguljes së sindikatave, dje ministria e Brendshme u ka nisur më në fund Kuesturave sqarimet bazë mbi lejet e qëndrimit për pritje punësimi, të lëshuara atyre që kanë humbur vendin e punës. Ministria thekson në mënyrë të përsëritur fakti që kur lëshohen për të parën herë këto dokumente duhet të kenë kohëzgjatje minimale “jo më të ulët se një vit”, një këshillë e tërthortë (dhe e ndrojtur) për t’i dhënë me kohëzgjatje edhe më të gjatë. Viminale thotë për të parën herë një gjë shumë të rëndësishme: kur lejeqëndrimet për pritje punësimi skadojnë, mund të përtërihen.
Ligji, nënvizon qarkorja e nxjerrë dje nga Drejtoria e Imigracionit e Departamentit të Sigurisë Publike, “nuk vë kufizime lidhur me përtëritjen”, që është kështu e mundur edhe “në vitet që pasojnë lëshimin e lejeqëndrimit të parë për pritje punësimi”. Është një hapje shumë e rëndëishsme, sepse deri tani kjo leje qëndrimi ishte si një lloj shansi i fundit që të jepej: ose gjeje punë brenda një viti, ose të mohohej përtëritja e lejeqëndrimit e të hiqej e drejta për të qëndruar akoma në Itali.
Kuesturat, thotë ministria, duhet të vlerësojnë rastet një nga një, duke bërë kujdes të mbajnë parasysh lidhjet familjare, numrin e viteve të kaluara në Itali dhe precedentët penalë të imigrantit. Pra duhet të mbajnë parasysh nivelin e tij të “përfshirjes në shoqëri”, pra të integrimit. Kjo, me sa duket, mund të bëjë dallimin, për shembull, në kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit.
Për më tepër, ligji parashikon që për përtëritjen e dokumentit të qëndrimit nevojiten të ardhura minimale të njëjta me ato që nevojiten për bashkimet damiljare, pra të paktën sa vlera e çekut social (rreth 6 mijë euro në vit) të shtuara me gjysmë çeku për çdo familjar. Për të llogaritur të ardhurat, kujton qarkorja. “mund të merren në konsideratë edhe të ardhurat vjetore të familjarëve që bashkëjetojnë me aplikuesin”. Kështu, për shembull, një i papunë mund të përtërijë lejen për pritje punësimi nëse ka të shoqen që punon.
Së fundi, gjithnjë lidhur me verifikimin e të ardhurave minimale, ministria kujton një sentencë të fundit të Këshillit të Shtetit që thotë se Kuesturat nuk duhet të vlerësojnë vetëm sa ka fituar i huaji që sapo ka gjetur një punë të re, por duhet të bëjnë një parashikim mbi atë çka do të fitojë nesër, duke u bazuar në kohëzgjatjen, orarin dhe rrogën e parashikuar nga kontrata e punës.
Për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtyre ushëzimeve të reja mbi lejeqëndrimet për pritje punësimi, është mirë t’i hidhet një sy raportit “Migrantët në tregun e punës në Itali” të publikuar nga ministria e Punës, e cila në vitin 2015 numëronte 456 mijë imigrantë të papunë. Në veçanti, mes jokomunitarëve norma e papunësisë ishte 16,7% kundrejt 11,4% e regjistruar mes italianëve.
Elvio Pasca
Shkarko: Qarkore mbi përtëritjen e lejes së qëndrimit për pritje punësimi