in

Lejeqëndrim për ata që investojnë në startup-e

Në Itali pa kaluar nga dekretet e flukseve ata që investojnë 500 mijë euro në biznese novatore. Por do të ketë edhe kontrolle e sanksionime më të rrepta. Modifikimet në ligjin e Bilancit 2017

Romë, 28 nëntor 2016 – Zgjerohet kategoria e investitorëve të huaj që mund të hyjnë në Itali pa kaluar përmes kuotave të dekreteve të flukseve, por shtohen edhe kontrollet dhe sanksionet mbi kanalin e ri të hapur nga projekti i ligjit të Bilancit 2017.

Teksti fillestar parashikonte lëshimin e një vize hyrjeje dhe të një lejeqëndrimi të huajve që investojnë të paktën 1 milion euro në kapitalin e një ndërmarrjeje italiane apo që blejnë 2 milionë euro obligacione dhe filanthropistëve që dhurojnë të paktën një milion euro për projekte me interes publik. Një amendament i miratuar në Komisionin e Bilancit fut në kategorinë e përfituesve edhe ata që investojnë në startup-e novatore, në kapitalin e të cilave do të mjaftojë të vënë “vetëm” 500 mijë euro.

Për të verifikuar prejardhjen e fondeve që do të mbërrijnë në këtë mënyrë në Itali, një tjetër amendament parashikon përfshirjen e Njësisë së Informacionit Financiar pranë Bankës së Italisë, organizëm që, mes të tjerash, vigjilon kundër pastrimit të parave. Për më tepër, investimet dhe obligacionet duhet të mbahen për të paktën dy vjet dhe Komisioni i Bilancit ka futur nj normë sipas së cilës, nëse paratë hiqen përpara këtij afati, të interesuarit i hiqet leja e qëndrimit.

Së fundi, një tjetër amendament parashikon që kush, gjatë procedurës së aplikimit, “paraqet ose përcjell dokumente të rreme, pjesërisht apo tërësisht, ose ofron të dhëna e lajme që nuk përputhen me të vërtetën” ndëshkohet me heqje lirie nga një vit e gjashtë muaj deri në gjashtë vjet. Dënime akoma më të rënda, deri në 12 vjet heqje lirie, nëse prejardhja e parave është e paligjshme e kemi të bëjmë me veprat penale të pastrimit dhe vetëpastrimit të parave.

EP

 

Historia e princeshës Dora D’Istria në Firence

Punonjësit e huaj sezonalë, ministria e Brendshme shpjegon risitë