in

Lindjet në Shqipëri, numri më i ulët që kur ka nisur regjistrimi i tyre

Gjatë vitit 2016, në Shqipëri lindën më pak se 32 mijë fëmijë, niveli më i ulët i lindjeve të shënuar që nga vitet ’30. Në vitin 1990 është regjistruar numri më i lartë i lindjeve, 82.125 foshnje. Bashkë me emigracionin, janë tregues të një krize të rëndë demografike në një të ardhme jo shumë të largët
Nga Gjergj Erebara, BIRN

Numri i lindjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2016 ka qenë më i ulëti i regjistruar ndonjëherë prej thuajse një shekulli, që kur shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil dhe filloi të shënojë lindjet, vdekjet e martesat. E thonë të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave dhe ato historike të para nga BIRN.

Gjatë vitit 2016, numri i lindjeve ishte 31.733, afro një mijë lindje më pak nga viti 2015 (kur u regjistruan 32.715) dhe 4 mijë lindje më pak se sa në vitin 2014 (kur u regjistruan 35.760).

Shqipëria ka pasur mbi 30 mijë lindje në vit që nga viti 1929, kur lindjet filluan të numërohen përmes themelimit të regjistrit civil. Në vitet ‘80, lindjet qenë mbi 60 mijë në vit ndërsa në vitin 1990, lindjet arritën në 82.125. Pas vitit 1990, numri i lindjeve ra vazhdimisht deri sa në dhjetëvjeçarin e fundit u stabilizua në rreth 35 mijë. Arsyet kryesore të rënies së lindjeve pas viteve ’90 lidhen me shkallën e lartë të emigrimit mes të rinjve, emigrim që sjell detyrimisht rënie të martesave e të lindjeve por edhe me ndryshimet kulturore në familjen shqiptare.

Rënia e mëtejshme e numrit të lindjeve në vitet 2015 dhe 2016, që ka gjasa të jetë shkaktuar nga vala e re e emigrimit të popullsisë shqiptare drejt Europës, pritet të ketë pasoja të shumëfishta të rënda për demografinë, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në dekadat e ardhshme.

Aktualisht popullsia shqiptare është në pakësim dhe në plakje të shpejtë. Pakësimi i popullsisë në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit ka ardhur si pasojë e emigrimit. Plakja e popullsisë ka ardhur njëkohësisht si pasojë e emigrimit – të emigruarit kanë moshë shumë më të re se sa ata që mbeten – dhe e rënies së lindshmërisë. (Reporter.al)

LINDJET 1990-2016
Viti Lindje
1990  82.125
1991  77.361
1992  75.425
1993  67.730
1994  72.179
1995  72.081
1996  68.358
1997  61.739
1998  60.139
1999  57.948
2000  51.242
2001  53.205
2002  42.527
2003  45.313
2004  40.989
2005  38.898
2006  35.891
2007  34.448
2008  33.445
2009  34.114
2010  34.061
2011  34.285
2012  35.473
2013  35.750
2014  35.760
2015  32.715
2016  31.733
   
Burimi INSTAT

Lexo edhe:
Shqipëria vazhdon të mpaket e të plaket
Eurostat: Shqipëria plaket me ritme më të larta se BE
Vendi mpaket e plaket, ne “shqetësohemi” për reforma e politika “të mëdha”

 

Borse di studio per giovani albanesi dal Governo italiano. Per l’anno accademico 2017/2018

Katër i Radës. Che cos’è cambiato nelle politiche migratorie 20 anni dopo la tragedia