Detajet e marrëveshjes së arritur mes Kryeministrit e liderit të PD-së
Tiranë, 18 maj 2017 – Janë zbardhur më në fund edhe detajet e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Ja deklarata e plotë e bërë nga PD e PS me pikat konkrete të marrëveshjes së konkretizuar:
Palët në këtë marrëveshje shprehin mirënjohjen dhe falenderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri si dhe në mënyrë të veçantë, për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017.
Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës.
Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarte demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe perparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
ZGJEDHJET
Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve më 25 qershor 2017.
Regjistrimi i menjëhershem i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumemërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 Maj 2017.
Listat e zgjedhësve
Përfshirja në listat e zgjedhësve e zgjedhësve të rinj që votojnë në datën e re të zgjedhjeve.
Dhënia e aksesit opozitës në informacionin e mbledhur nga projekti i Adresave dhe çështjet të tjera të lidhura me zgjedhësit, nëpërmjet auditeve të KQZ-së.
Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore.
Plotësimi i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit.
Zgjedhjet e pjesëshme për bashkinë e Kavajës, do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithëshme.
Pezullimi i çdo iniciative për kontrata të përkohëshme në nivel qëndror dhe vendor.
Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit te listës së zgjedhësve.
Mbështetje ndërkombëtare për KQZ- për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vezhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
QEVERIA
zv/Kryeministër, teknik
Ministri i Brendshëm, teknik
Ministri i Arsimit, teknik
Ministri i Shëndetësisë, teknik
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, teknik
Ministri i Financave, teknik
Ministri i Drejtësisë, teknik
Drejtori i OSHEE
Drejtori i Përgjithshëm i Aluiznit
Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave
Drejtori i pergjithshem i Burgjeve
Drejtori i pergjithshem i Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural
Kandidaturat e mësipërme do të jenë propozim i opozitës.
PARLAMENTI
Votimi i organeve të Vetting-ut.
Votimi i dekreteve për anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave.
Ndryshim i Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpermjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standarteve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
Votimi i anëtareve të Këshillit të Ministrave, anëtareve të organeve të vettingut dhe i legjislacionit të parashikuar në këtë marrëveshje, do të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të parlamentit.
ORGANET E PAVARURA
Kryetari i KQZ, propozim i opozitës.
Avokati i Popullit, propozim i opozitës.
REFORMAT
Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.
MASA TE TJERA
Largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike.
Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë mbi listat partiake.
KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuar në përputhje me ligjin nr 138/2015 për garantimin e integritetit të funksionarëve publik ).
Administrata Publike. Marrja e masave për ndalimin e përdorimit në favor të subjekteve zgjedhore të mjeteve, pronave dhe të burimeve njerëzore të administratës publike si dhe kundër çdo forme presioni ndaj punonjësve të administratës publike në çdo nivel.
Narkotikët. Forcimi i luftës kundër narkotikëve, nëpërmjet pjesëmarrjes së opozitës në Task forcën Kombëtare të luftës kundër narkotikeve.