“Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”, i pari libër që flet për shqiptaret e Italisë e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Gra të botës akademike, të angazhuara në shoqata e politikë, në administratë publike dhe në ndërmjetësim kulturor, profesioniste, sipërmarrëse, gazetare, artiste, shkrimtare, zëra të ndryshëm trajtojnë sukseset, sfidat dhe problemet
Romë, 27 shtator 2017 – Sapo ka dalë nga shtypi Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità (Gra të Shqipërisë. Mes migrimit, traditës dhe modernizmit), një libër i shtëpisë botuese Com Nuovi Tempi, me kuratorë sociologun Rando Devole dhe drejtorin e revistës Confronti, Claudio Paravati.
Është i pari libër që flet për shqiptaret e Italisë e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Një projekt i realizuar nga gratë e për gratë që flet për zhvillim, përfshirje sociale dhe luftë për të drejtat.
Gra të botës akademike, të angazhuara në shoqata e politikë, në administratë publike dhe në ndërmjetësim kulturor, profesioniste, sipërmarrëse, gazetare, artiste, shkrimtare, emigrante të brezit të parë e vajza të lindura në Itali, ofrojnë reflektimet, analizat e dëshmitë e tyre. Zëra të ndryshëm për të folur rreth të shkuarës, të tashmes e ëndrrat e të ardhmes, për të trajtuar sukseset, sfidat dhe problemet.
Si ishte situata e grave shqiptare në Shqipërinë komuniste? Çfarë ndryshoi me rënien e regjimit? Çfarë ndodhi pas valëve të para të emigrimit të viteve Nëntëdhjetë? Sa janë shqiptaret në Itali e me çfarë merren? Ç’pasoja ka pasur procesi i migrimit mbi ato vetë, mbi shoqërinë e vendit që lanë e shoqërinë e vendit pritës? Janë këto e shumë të tjera, pyetjet që gjejnë përgjigje në faqet e Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità, një libër i vyer për vetë gratë, për të gjithë ata që merren me çështje kulturore, shoqërore dhe migrimi. Një libër i nevojshëm për të gjithë ata që kanë dëshirë të njohin e të kuptojnë më mirë këtë botë të larmishme, të rëndësishme dhe magjepsëse të shqiptareve të Italisë.
Libri mund të porositet online në Amazon ose të kërkohet pranë revistës Confronti duke shkruar një email në info[at]confronti.net