in

Provim të shqipes në maj, maturantëve me dëftesë të huaj

Të gjithë shtetasit shqiptarë, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe duan të ndjekin studimet e larta në Shqipëri, duhet të japin provim gjuhën shqipe brenda muajit maj.

Tiranë 19 shkurt 2011 – Sipas një udhëzimi të publikuar më 18 shkurt nga Ministria e Arsimit, shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë programet e studimit në institucionet shqiptare të arsimit të lartë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm.

Zotërimi i gjuhës shqipe duhet të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Procedura e dhënies së provimit të gjuhës shqipe, programi dhe tarifa e këtij provimi, përcaktohen nga Fakulteti i Histori-Filologjisë në bashkëpunim me Drejtorinë së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Koha e dhënies së provimit të gjuhës shqipe është brenda muajit maj. Shtetasit shqiptarë duhet të paraqesin pranë komisionit të posaçëm nga data 1 deri më 15 prill, dokumentet e nevojshme.

Dosja individuale duhet të përmbajë:
1. Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi;
2. dëftesën/diplomën origjinale së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara;
3. kopje e noterizuar e pasaportës ose e kartës se identiteti;
4. dokument zyrtar nga vendi që vjen, i cili vërteton ciklin e studimeve të kryera.

Përcaktohet se nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe përjashtohen të gjithë ata shtetas të cilët kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose ata shtetas që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore.

Pret me gërshërë rrobat e të shoqes që të mos dalë

“Jam italian i vërtetë!”, brezat e dytë në Sanremo