I shumëpritur prej dhjetorit 2019 kur skadoi marrëveshja në fuqi, i paralajmëruar prej muajsh nga ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, konvertimi i patentave shqiptare në italiane po bëhet realitet.
Më në fund, më 3 gusht, Ministria italiane e transporteve ka nxjerrë qarkore zbatuese me të cilën lajmëron zyrat periferike të Motorizimit Civil se nga 12 korriku është në fuqi marrëveshja dypalëshe për konvertimin e patentave shqiptare në italiane dhe jep udhëzime rreth zbatimit të marrëveshjes duke filluar nga 10 gushti, datë nga e cila mund të pranojnë kërkesat e të interesuarve për konvertime.
Në qarkore nënvizohen disa kritere bazë të marrëveshjes së konvertimit të patentave.
Theksohet që “nuk është e mundur të pranohen kërkesa për konvertimin e patentave shqiptare të marra pas vendosjes së residences në Itali”; që “mbajtësi i patentës shqiptare mund të kërkojë konvertimin e saj vetëm në rast se nuk ka mbushur 4 vjet residencë në Itali e nëse patenta shqiptare nuk është e skaduar”.
Vonesa 4 javore mes hyrjes në fuqi (12 korrik) dhe datës efektive të pranimit të kërkesave të konvertimit (10 gusht) justifikohet me faktin që ende pa u vënë në zbatim, “është konsideruar i nevojshëm përditësimi i marrëveshjes në fjalë lidhur me shkëmbimin e informacionit mes autoriteteve qendrore kompetente për patenta të veçanta kur lindin dyshime në lidhje me vlefshmërinë, vërtetësinë dhe të dhënat e tyre, siç parashikohet nga neni 8 i së njëjtës Marrëveshje”.
E për të shmangur probleme të mëtejshme për të interesuarit që mund të rrjedhin nga kjo vonesë, në qarkore shkruhet shprehimisht që do të pranohen kërkesat e konvertimit për “patentat shqiptare me datë skadence në intervalin kohor 12 korrik – 10 gusht, apo kur në të njëjtin interval kohor mbushen 4 vjet nga marrja e residences në Itali” me kusht që kërkesat të paraqiten deri më 31 tetor 2021.