in

ISTAT: Italia përditë e më shumë multietnike

Familjet që kanë në gjirin e tyre të paktën një qytetar të huaj janë 2 milionë e 74 mijë ose 8,3% e familjeve. Një e katërta e këtyre familjeve – rreth 500 mijë – janë të ashtuquajturat familje të përziera, të ngritura nga një i huaj e një italian.

Kjo është fotografia e familjeve me të huaj në Itali e hulumtimit të fundit ISTAT (me të dhëna të një viti më parë) me titull: “Familjet me të huaj: treguesit e vështirësive ekonomike”.

Sipas studimit, familjet me të paktën një komponent të huaj banojnë në Veri-perëndim (32.9%), në Italinë e Mesme (27,3%), në Veri-Lindje  (25,3%) dhe vetëm 13,1% jeton në Jug e ishuj.

Familjet me të huaj kanë moshë mesatare më të re se familjet me të gjithë anëtarët italianë (30 vjeç kundrejt 43 të moshës mesatare të familjeve tërësisht italiane).

Edhe pse “përmasat” e familjeve me të huaj nuk janë shumë të ndryshme nga ato të familjeve italiane (2,44 persona për familje kundrejt 2,38), mes familjeve me të huaj hasen më shpesh familjet me një person (35,5% kundrejt 30,9%) si edhe familjet e përbëra nga pesë a më shumë vetë (9,1% kundrejt 4,7%).

Shumica e familjeve me të huaj jetojnë në shtëpi të marra me qira: 58,7% kundrejt vetëm 16% të familjeve tërësisht italiane.

Është më e ulët se ajo e familjeve italiane përqindja e familjeve me të huaj që kanë një makinë (61,2% kundrejt 78,9%), edhe pse 75,5% e të huajve e konsideron një mjet të nevojshëm, që kanë lavastovilje (22,8% kundrejt 42,3%), por në këtë rast nevoja e kësaj pajisjeje elektroshtëpiake nuk konsiderohet parësore. Ndërsa për mallra të tjerë si videoregjistrator, kompjuter, videokamera, lidhje interneti, dallimet mes familjeve me të huaj dhe atyre 100% italiane janë shumë më të vogla, kjo ndoshta edhe për shkak të moshës më të re të imigrantëve, që i bën më të ndjeshëm ndaj këtyre pajisjeve.

Familjet me të huaj gjenden më shpesh se ato italiane përballë vështirësish ekonomike që nuk u lejojnë as shpenzimet e përditshme të nevojshme: 28,1% nuk ka para për të blerë veshje (kundrejt 15,9% të familjeve italiane); 64,9% e familjeve me të huaj nuk mund të përballojë një shpenzim të paparashikuar prej 750 eurosh (kundrejt 31,4% të familjeve italiane). (vijon)

Skeda e plotë ISTAT

Filmat shqiptarë kthehen në Torino

Një e treta e familjeve me të huaj jetojnë në shtëpi të mbipopulluara