in

Një e treta e familjeve me të huaj jetojnë në shtëpi të mbipopulluara

Familjet që kanë në gjirin e tyre të paktën një qytetar të huaj janë 2 milionë e 74 mijë ose 8,3% e familjeve. Një e katërta e këtyre familjeve – rreth 500 mijë – janë të ashtuquajturat familje të përziera, të ngritura nga një i huaj e një italian. Kjo është fotografia e familjeve me të huaj në Itali e studimit të fundit ISTAT (me të dhëna të një viti më parë).

Veçanërisht domethënës është treguesi i mbipopullimit të banesave, i përcaktuar si përqindje e familjeve që nuk kanë një numër dhomash të përshtatshme për përbërjen e tyre. Familjet me të huaj që jetojnë në kushte të tilla janë 37,2% kundrejt 14,6% e familjeve italiane. Për më tepër, 49,9% e familjeve me të huaj mund t’i lejojë vetes një shtëpi me maksimumi dy dhoma dhe 20,4% vetëm një dhomë (e pamjaftueshme edhe për një familje të përbërë nga një person i vetëm.

Përsa u përket karakteristikave të banesës, në vitin 2009 kuota e familjeve që ankohen për mungesën e disa shërbimeve dhe pajisjeve higjienike bazë, pra që nuk kanë WC brenda, vaskën e banjës apo dushin, ujin e ngrohtë, shkon nga 3,1% ndër familjet me të paktën një të huaj në 1,1% për familjet italiane. Janë më të shpeshta për familjet me të huaj edhe mangësi të rëndësishme në banesë si çati, tavan, dritare apo dysheme të dëmtuara (12,8% të rasteve të familjeve me të huaj, kundrejt 9,9% të familjeve italiane), lagështia e mureve apo në themele (21,3% kundrejt 16,4%), shtëpi me pak dritë (11,4% kundrejt 8,8%).

Nga ana tjetër, familjet me të huaj ankohen më pak se familjet me vetëm italianë: ndotja, papastërtia dhe probleme të tjera ambientale të shkaktuara nga trafiku dhe industria shqetësojnë 21,1% të familjeve italiane dhe vetëm 12,3% të familjeve me të huaj; zhurmat e shkaktuara nga fqinjët apo nga trafiku, industria, tregtia etj. shqetësojnë 25,9% të familjeve italiane e 21,1% të familjeve me të huaj; kriminaliteti, dhuna dhe vandalizmi shqetësojnë 15,9% të familjeve italiane dhe vetëm 8,9% të familjeve me të huaj.

ISTAT: Italia përditë e më shumë multietnike

Pogradeci në Eurolakes