in

“E lagu s’e lagu”, loja e politikës shqiptare

“Kopili” është i forcës politike “armike”

Zgjedhjet vendore, ndezin akoma më shumë vatrën e zjarrit që veçanërisht, gjatë muajve  të fundit, është ndezur midis forcave politike, tashmë “armike”  në Shqipërinë ish komuniste.

Deklaratat për mediat nga forcat politike armike janë më të dendura se reshjet e shiut që, edhe pse jetojmë në vitin 2011, shpeshherë përmbysin qendrat e banuara.

Partia Socialiste, “armike” e Partisë Demokratike  akuzohet nga armikja e saj si përgjegjëse e drejtpërdrejtë së bashku me partitë e vogla pranë saj. Akuzohen mbi të gjitha për demonstratën e organizuar me qëllim që ajo të degjeneronte në dhunë fatale nga pjesëmarrësit, sigurisht sipas tyre,  të nxitur nga krerët e PS.

Nga ana tjetër, PS fajëson “armiken” e saj PD dhe denoncon krerët e saj duke i quajtur  kriminelë të cilët bënë të mundur vrasjen e protestuesve që kërkonin kthimin e votave të vjedhura nga PD dhe largimin e z. Berisha nga skena e politikës shqiptare. Akuzat, kërkesat dhe rezultatet e demonstratës në fjalë, janë akoma lënda e parë me të cilat PS përgatit konferencat për shtypin shqiptar dhe atë të huaj. Në mënyrë të veçantë ushqen që prej më se 40 ditësh mediat e saj të shumta në numër.

Siç thotë një fjalë popullore shqiptare “çdo e ligë ka një të mirë” Një pjesë e fushatës së Partisë Socialiste duket se do të fokusohet tek gratë. Të paktën kështu ka deklaruar deputetja e PS, Eglantina Gjermeni në një deklaratë për mediat. Në emër të grave të opozitës deputetja, e ka quajtur liderin e Partisë “armike” si një udhëheqës keqbërësish.

Ndër të tjera ajo thotë “Ky lloj kryeministri s’është udhërrëfyesi i popullit drejt Evropës së dinjitetit njerëzor, por një udhëheqës keqbërësish që kanë vjedhur zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, e vrarë për të vazhduar të vjedhin”. Ajo ndër të tjera deklaron se “gratë e opozitës sot janë bashkë me të afërmit e viktimave të demonstratës së dhunshme të 21 janarit, për të kërkuar largimin e kreut të mazhorancës. Gratë, sot më shumë se kurrë janë bashkë me nënën e Hekuran Dedës, motrat e Aleks Nikës, gruan e Faik Myrtaj, vajzën e Ziver Veizit, për ta larguar me fuqinë e të vërtetave të dhimbshme të këtij vendi Saliun. Fajin për të gjitha e ka Saliu. Pa Saliun Shqipëria s’do vritet, vidhet e mashtrohet më nga qeveria e vet dhe shqiptarët s’do shahen më mes njëri tjetrit”. PS, sipas deputetes Gjermeni, është shpresa e fundit dhe e vetmja për të shpëtuar Shqipërinë nga errësira ku është fundosur.

Natyrshëm lind pyetja, se si mund të shpëtohet Shqipëria nga Partia Socialiste kur, në programin e dy forcave politike “armike” nuk ka vend për angazhim në një problem me të vërtetë serioz ku fjala urrejtje gjen domethënien e saj të plotë siç është ajo e gjakmarrjes. Ku shqiptari vret shqiptarin në emër të një ligji – sigurisht i pasur me vlera muzeale, – duke pasur një shtet ligjor që në teori duhet të zgjidhë konfliktet mes shqiptarëve me drejtësi dhe transparencë. Duke ndëshkuar keqbërësit sipas ligjit.

Me ndërhyrjen e shtetit të së drejtës, mund të bëhen hapat e para drejt lirimit të familjeve të ngujuara brenda mureve të shtëpive për të evituar vdekjen nga dora e hasmit. Vetëm në qarkun e Kukësit numërohen mbi 240 familje të ngujuara. Sipas të dhënave, thuhet që shumica e këtyre familjeve janë pleksur  me hasmërinë për të vetmin fakt se kanë lidhje farefisnore  me një vrasës, dhe sipas Kanunit edhe shtëpia e tyre duhet të kthehet në burg.

Ligji i miratuar nga Parlamenti në maj 2005,  mbetet në letrat e zverdhura të mbuluara nga harresa dhe indiferenca e plotë e forcave politike “armike”.

Parlamenti i Shqipërisë ish komuniste, i rikthehet debatit në lidhje me këtë çështje, pak ditë pas vrasjes së pastorit Dritan Prroi i ekzekutuar në mes të Shkodrës për hakmarrje nga një 21-vjeçar. Deputeti i PS-së, z. Namik Dokle, akuzon haptas qeverinë për neglizhencë të dukshme në drejtim të kësaj dukurie kriminale, me të cilën përballet çdo ditë populli shqiptar.

Nga pala tjetër, Ministri i drejtësisë, z. Bujar Nishani, kundërpërgjigjet duke nënvizuar se “e vërteta qëndron krejt ndryshe, pasi qeveria ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në lidhje për këtë vepër penale duke bërë ndërhyrjet përkatëse në kodin penal dhe në kodin e procedurës penale. Propozimet e qeverisë janë prej kohësh të depozituara në Parlament”. Ministri i drejtësisë  vijon më tej duke akuzuar deputetët e PS-së, që fatkeqësisht nuk ofrojnë kontributin e tyre për të votuar këto ndryshime në kodin penal.

Kur krerët e politikës shqiptare me ndërgjegje të plotë, luajnë një politikë që endet haptas nëpër dallavere dhe luajnë  lojën tipike shqiptare “e lagu s’e lagu”, duke hedhur “kopilin” nga njëri prehër në tjetrin, duke lënë shqiptarët në fatin e tyre, atëherë kemi të bëjmë (si në rastin konkret) me një shtet tejet të sëmurë, me një opozitë jo të shëndoshë.

Janni Luan Cajku

Studimi dhe formimi, forma më e mirë e integrimit

Autostrada Tiranë-Elbasan, nis faza e përzgjedhjes së kompanisë