in

Autostrada Tiranë-Elbasan, nis faza e përzgjedhjes së kompanisë

Kanë nisur proceset për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë autostradën Tiranë-Elbasan. Rruga do të jetë 31,5 km e gjatë dhe do të përshkohet nga një tunel mbi 2 km të gjatë me 4 korsi.
Koha e udhëtimit pritet të shkurtohet nga më shumë se 1 orë, në 18 minuta, ndërsa ndërtimi i rrugës do të ulë gati 3 herë edhe koston, e cila e përkthyer në vlerë monetare, bashkë me komoditetin e udhëtimit, llogarit kursimin prej 7 euro për automjet.
Ky do të jetë projekti i dytë me një tunel gjigant që lidh dy qytete, pas atij Rrëshen-Kalimash në autostradën Durrës-Kukës-Morinë.

Tiranë 3 mars, 2011 – Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka hapur sot tenderin për përzgjedhjen  kompanisë për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend. Gjatë një konference për shtyp ministri Olldashi u shpreh se brenda 2 javësh do të shpallet kompania fituese.

Ndërtimi i kësaj autostrade kushton 440 milionë euro, ndërkohë që ministria e Financave po negocion marrëveshjen e kredisë me Bankën Islamike për Zhvillim (IBD) për financimin e saj. Me këtë bankë, ministria kërkon të arrijë një marrëveshje kredie prej 300 milionë dollarë. Pjesa tjetër do të financohet përmes kredive të tjera me institucionet financiare ndërkombëtare si dhe me kontributin e qeverisë shqiptare.

Studimi i projektit të kësaj rruge është bërë nga kompania italiane “Bonifica”, e cila paraqiti katër variante, ndër të cilët u përzgjodh alternativa që kalon Qafën e Krrabës përmes një tuneli të gjatë 2,2 km dhe ku parashikohet ndërtimi i disa tuneleve të tjerë më të vegjël përgjatë rrugës, me gjatësi totale të tuneleve 3.260 m. Parashikohen gjithashtu edhe 14 nënkalime dhe mbikalime për të bërë të mundur mosndërprerjen e rrugës.

Autostrada ka disa tunele. Konkretisht në kilometrin 4,5 do të ndërtohet një tunel prej 550 m. i gjatë, ndërsa do të ndërtohen edhe disa të tjerë në vijimësi në km 18, me gjatësi 110, 139 dhe 190 m.

Projekti parashikon mbikalime në km 5,4, në Mullet, në km 9, Berzhitë dhe në km 14 në Krrabë, si dhe dy rrethqarkullime në afërsi të Elbasanit në km 30,38 dhe 31,17 që përkojnë me mbikalimin hekururdhor.

Nga dalja e Tiranës deri në Mullet, zonë me potenciale ekonomike dhe turistike për kryeqytetin, projekti parashikon një autostradë të mirëfilltë urbane, që në pjesën e parë, rreth 2,6 km do të jetë autostradë me 2 korsi udhëtimi, 1 korsi emergjence, 1 korsi për shërbim publik dhe 1 për biçikleta. Pas kësaj distance deri në afërsi të tunelit, projekti parashikon autostradë të standardeve europiane interurbane, ndërsa pas tunelit, ajo do të vijojë me parametra shumë të mirë gjeometrikë, por me gjerësi të reduktuar për shkak se edhe qarkullimi reduktohet.

Koha e udhëtimit pritet të shkurtohet nga më shumë se 1 orë, në 18 minuta, ndërsa ndërtimi i rrugës do të ulë gati 3 herë edhe koston, e cila e përkthyer në vlerë monetare, bashkë me komoditetin e udhëtimit, llogarit kursimin prej 7 euro për automjet.

Lidhja e Tiranës më Elbasanin me tunel vjen si një histori e vjetër nga koha e komunizmit, ku sipas projektit të asaj kohe, parashikohej një tunel në Krrabë, që të mund të përdorej edhe si strehim ushtarak, por projekti u hodh poshtë për shkak të kostos së lartë dhe pamundësisë për financim.

Në kushtet e sotme, rruga Tiranë-Elbasan konsiderohet edhe si pjesë e Korridorit 8, Durrës-Rrogozhinë-Peqin-Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë.

“E lagu s’e lagu”, loja e politikës shqiptare

Mars 1991: Me anijen “Lirija” drejt lirisë