in

Anija ime quhej ‘Legend’

Nuk është nevoja të gërmosh kujtesën për të rindërtuar ato ditë fillimi marsi të vitit 1991. Kushdo që i ka jetuar, si protagonist a si spektator, nuk mund t’i harrojë, pasi ato kujtime, në mos qofshin shkundur nga goditje më të rënda, përbëjnë për shumicën tonë momentin e trandjes, kthesën rrënjësore që ka përcaktuar përfundimisht jetën që bëjmë sot.

Fati i përbashkët i atyre ditëve i bën po aq të përbashkëta edhe kujtimet, të cilat, edhe pse personale, shndërrohen në një unicum të të gjithëve ku trazohen dallgë, anije, frikë, shpresë, zhgënjim, hare, një vorbull imazhesh e ndjenjash që vetëm çastet e rëndësishme janë në gjendje të ngjallin.

Anija ime quhej “Legend”. Pakkush e njeh me këtë emër, pasi në kronikat e arratisë së atyre ditëve ka hyrë me emrin “anija panameze”. Legend. Omen, nomen.  Por nuk mund ta dija që atë çast se fati  im dhe i pesëmijë bashkatdhetarëve ishte shkruar në barkun e ndryshkur të asaj anijeje të ngarkuar me çimento në portin e Durrësit 6 marsin e vitit 1991, pa pasur kohë të kuptoja edhe vetë si dhe pse gjendesha aty. Një sirenë, a çirçe më pat bërë të kërkoja me ngulm një makinë e të nisesha nga Elbasani për në Durrës. Tani e di që pa atë thirrje të padukshme që diku dergjej te unë e te mijëra të tjerë,  nuk do të isha nisur, ashtu siç nuk do të ishte nisur edhe kolegu im E.M. në kombinatin metalurgjik i cili, tek dera e ndërmarrjes, lëshoi ashtu më kot tha “po-vij-edhe-unë-në-Durrës-por-me-kusht-që-të-kthehemi-brenda-orës-tre”.

As ai, as unë, nuk e dinim ku po shkonim. As ai, as unë, nuk e kuptuam si u gjetëm në barkun e “Legjendës” me flamur panamez ku këmbët na i çoi turma nga Shkozeti dhe mendjen na e pat marrë sirena e detit.

Secili prej nesh ka historinë dhe arsyet e veta, të prekshme e të paprekshme, të asaj ikjeje. Por në barkun e anijes që atë pasdite marsi filloi të mbushej dalëngadalë fytyrat e njerëzve i bashkonte vetëm diçka, dëshira për të ikur. Askush nuk e dinte ku po shkonte, e unë nuk e di as sot se ç’forcë e dëshirë e bënte njëzetvjeçarin të mos i përgjigjej thirrjes së përlotur së të atit në majë të vinçit buzë kalatës ku qe ankoruar anija. “Alban, ku je Alban, zbrit Alban” çirrej me lot i ati ndërsa Albani fshihej pas meje. Të njëjtën thirrje të çjerrë bënin edhe prindërit e mi aty në Elbasan, por edhe unë si Albani, pothuajse vërsnik me Albanin, dëgjoja më shumë sirenën.

“Por thuejma ti arsyen që t’ka shty / Të zbresësh, e këtu të paska sjellë” pyet Beatriçja Danten ndërsa ky ka ikur nga “i hapti log” drejt asaj përmase jashtëtokësore nga ku, ndoshta, “i djegun ka me u kthye”.

Pyetjes të gjithë s’kanë mundur të mos i përballen. Por në ato njëzet orë mbi anije, pakkush zbriti, e nga rreth njëqind vetë që gjendeshim aty në tre të pasdites, më pesë të mëngjesit të së nesërmes  ishin bërë pesëmijë.

Në pesë të mëngjesit anija filloi të lëvizë. Që prej disa orësh asnjë nuk hipte dot më. Policë me qen silleshin në kalatë duke pritur një urdhër që s’vinte. Më në fund dikush “e bindi” kapitenin grek se nuk kishte rrugë tjetër. Thanë se i kishin vënë pistoletën pas kokës. Pat veç një brohoritmë të çastit ndërsa anija lëvizi majtas.  Pastaj sërish djathtas, rëndë. Fëmijët e zgjuar nga dremitja filluan të qanin. “Të gjithë dilni majtas” e anija rëndonte në një krah ndërsa motorët përpiqeshin ta shkulnin nga llumi e ta zhvendosnin në krahun tjetër. Një ecejake turme nga njëra anë në tjetrën të anijes derisa përbindëshi me pesëmijë njerëz në kuvertë e mijëra ton çimento në hambarë bëri përpara nga kiçi. Në fillim ngadalë, e pastaj siç i ka hije një anijeje. Për pak minuta doli nga porti.

Vetëm aty njerëzit kthyen kokën pas, kur Durrësi filloi të zvogëlohej. Pas pak do të zhdukej krejt nga horizonti.

Nga ky çast kujtimet turbullohen për t’u bërë më pas të gjalla e të imta në mbërritje. Në det të hapur mbaj mend vetëm zhurmën e dallgëve dhe frikën. Ndoshta qe momenti kur njerëzit kuptuan se ikja po ndodhte vërtet e u bënë të heshtur, filluan të kuptojnë se ajo që kishin bërë ishte një çmenduri, se ajo anije nuk ishte bërë për të mbajtur me vete, përveç ngarkesës së pashkarkuar në port, edhe pesëmijë pasagjerë.

Patën shumë kohë ta mendojnë e t’i druhen vdekjes. Nga ora gjashtë e mëngjesit kur anija la portin e deri në shenjën e parë të jetës përtej asaj bishe lundruese kaluan mëse dhjetë orë. U shfaqën dy shenjë jete jashtë anijes. Katër delfinë që shoqëruan për një çast lundrimin, dhe dy helikopterë italianë të zhurmshëm që zbritën gati mbi kokat e njerëzve që brohorisnin.

Qetësia e njerëzve u zhduk pak kohë pasi u zhdukën edhe helikopterët. Filluan teoritë e komplotit, se kapiteni kishte rënë dakord me radio me helikopterët që të kthehej në Shqipëri pa na thënë gjë, që anijes po i mbaronte karburanti, që kapiteni nuk dinte mirë rrugën.

Një grup të rinjsh i rrinte pas kokës kapitenit grek i cili nuk e kishte fshehur gjatë gjithë kohës nervozizmin. E ndoshta, me po të njëjtat mënyra që e bindën për t’u nisur, e bindën edhe që duhej të lëshonte një SOS pasi në anije, sipas bindësve, dy gra po lindnin.

Tokë, më në fund. Nuk ishte errësuar ende kur pamë dritat e para në breg. Anija filloi t’i afrohej dalëngadalë dhe kaloi ndoshta një jetë e tërë derisa hodhi litarët në kalatën e Brindizit. Aty poshtë me mijëra shqiptarë të tjerë përshëndesnin të porsaardhurit, të tjerë thërrisnin emra, pyesnin për miq, gazmendeshin kur shihnin fytyra të njohura.

Nuk di si zbrita nga anija, ndoshta me një litar. Gjëja e parë që pashë në Itali ishte një grafit i madh në murin e portit: “Antonella ama Luigi”. Poshtë saj “Craxi boia!”. Përqark turma e madhe me  shqiptarë.

Gjeta shumë miq e shokë. Diçka i kishte thërritur, edhe ata. Sot janë të gjithë të shpërndarë në Itali. Kur shihemi, nuk themi kurrë “Sikur të mos ishim nisur atë ditë…”. Edhe pse sot, pas njëzet vjetësh, ende s’e dimë  pse u nisëm.

r.sejko

Mars 1991: “Legend” për ëndrrën shqiptare

Saimir Pirgu në programin “Loggione” të Canale5