in

Mars 1991: “Legend” për ëndrrën shqiptare

Askush nuk e di se sa njerëz janë larguar nga Shqipëria në javën e parë të marsit 1991, ku jo vetëm në Durrës, por dhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur. Sot, ndonëse kanë kaluar 20 vjet, shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruan se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë.
Njerëzit që iu ngjitën anijeve shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës, për të cilat edhe pas 20 vitesh, vijnë në kujtimet e dëshmitarëve.

Edmond Myrto u nis drejt Italisë me anijen e fundit, që u largua nga Durrësi. “U ktheva në shtëpi dhe e gjeta derën e mbyllur”, kujton Edi vendimin për t’u larguar nga Shqipëria. “E kuptova që dera do të mbetej e mbyllur për disa kohë, por nuk e dija se sa. I gjeta prindërit dhe motrat, të cilët kishin zënë vend në anijen “Legend”, në kalatën 7, atje ku shkarkoheshin mineralet. Mes turmës së njerëzve babai im, Seiti, më këshillonte më shumë me duar se me fjalë: “Qëndro po të duash!” Ai e dinte merakun tim për shkollën. Më kishin mbetur edhe pak muaj dhe kisha arritur të fitoj të drejtën e studimit pas vite e vite mundimesh dhe përpjekjesh. Sa për veten e tij, dukej që Seiti e kishte ndarë mendjen. Me zor e kishte pritur këtë ditë”, thotë Edi.

“Ka qenë udhëtim mjaft i vështirë”, kujton ai lundrimin me anijen “Legend”. “Kishte shumë det. Kapiteni grek i anijes dukej më shumë si pjesë e masës së njerëzve që donin të largoheshin. “Çfarë u ka bërë diktatori gjithë këtyre njerëzve që duan të largohen nga vendi i tyre”, më tha kur ndaloi pak sekonda në vendin ku qëndronim. Ishte e pamundur të lëvizje nëpër anije. Nëna ime u sëmur dhe me shumë vështirësi, arritëm të krijonin një hapësirë të vogël që ajo të merrte frymë”, kujton ankthin e orëve të lundrimit Edi, kur anija panameze ishte nisur mëngjesin e fundit të eksodit mes detit të trazuar.

Në Brindizi gjithçka dukej ndryshe. “Fjetëm në bankinë si qengjat dhe na dukej se kishim lënë pas një barrë të rëndë. Mëngjesin tjetër filluam të lëvizim pa probleme në qytet, bëmë miqtë e parë, brindizinët kujdeseshin për ne”, kujton Edi situatën e 20 viteve më parë.
Njerëzit u sistemuan përkohësisht në shkolla e në palestra, ndërkohë që ditët e ardhshme grupe të mëdha niseshin me autobusë drejt qyteteve të ndryshme në Italinë qendrore, jugore dhe veriore për të jetuar dhe punuar në të ardhmen.

“Në TV-të italiane iu bë jehonë rastit të një djaloshi shqiptari, që u vetëpunësua si polic rrugor vullnetar në një nga nënkalimet e qytetit italian”, vijon tregimin e tij Edmond Myrto. “Një tjetër shok i imi, Nexhip Hyseni u punësua në sindikatën CGL dhe si rrallë shqiptarë të tjerë vazhdon të punojë në Brindizi në të njëjtin sektor”.

“Në hotelin ku isha sistemuar, ndërkohë që punoja në sindikatën UIL një natë u bë zhurmë, – kujton Edi.  – Një grup njerëzish mjaft të lodhur që u panë në hollin e hotelit na treguan se kishin mbërritur nga grykëderdhja e lumit Seman në Brindizi me … trap! Kaq e madhe ishte uria për lirinë e munguar nga sistemi komunist”.

Gëzim Kabashi

Lexo edhe: Mars 1991 – Edhe unë isha në anije

Mars 1991: Me anijen “Lirija” drejt lirisë

Anija ime quhej ‘Legend’