Në mëngjesin e 8 marsit u gjykuan me dyer të mbyllura në Genova katër tifozët ekstremistë të konsideruan ndër përgjegjësit e ndëprepres së ndeshjes Itali-Serbi më 12 tetor të vitit të kaluar, e vlefshme për kualifikimin në Kampionatin Europian 2012. Është dënuar me tre vjet e tre muaj heqje lirie serbi Ivan Bogdanov, që mbeti në kujtesën e sportdashësve dhe të telespektatorëve, sepse preu me darë rrjetën që ndante rreth 2000 mijë tifozët serbë me ata italianë, organizoi tifozët ekstremistë dhe atë mbrëmje dogji në stadium flamurin shqiptar. Ai është dënuar për kundërshtim të fortë ndaj zyrtarëve të shtetit, për dëmtime të rënda, si dhe për shkeljet e parashikuara nga rregullorja e dhjetorit të vitit 1989 mbi sjelljen e qëndrimin në stadium. Bashkë me Bogdanov u dënuan edhe Srdan Jovetic me dy vjet e gjashtë muaj, Daniel Janjic-dy vjet e tetë muaj dhe Nicola Klicovic me tre vjet heqje lirie.
Ivan Bogdanov konsiderohet si organizatori i trazirave të shkaktuara nga një grup tifozësh serbë si përpara fillimit të ndeshjes nëpër rrugët e Genovas, ashtu edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Aq sa arbitri vendosi të ndëpresë takimin sepse nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për lojtarët dhe spektatorët e stadiumit. Mes flamujve dhe simboleve të nacionalizmit serb spikati një banderolë ku lexohej : “Kosova eshte zemra e serbise”.
Policia italiane arriti ta zbulojë Ivan Bogdanov pas kontrolleve të gjata që vazhduan gjithë natën. Bogdanovic u gjet i fshehur në portabagazhin e autobusit që do të rikthente tifozët në Beograd dhe u identifikua falë tatuazheve të shumta. Ai kërkoi falje dhe nga burgu duke shprehur se protesta e tij ishte kundër Federatës Serbe të Futobollit e nuk kishte lidhje me Italinë. Falje kërkoi dhe ambasada serbe në Romë dhe të nesërmen e ngjarjeve ambasadorja serbe në Romë, Sanda Raskoviç-Iviç deklaroi se “Këta persona nuk përfaqësojnë ndjenjat apo qëndrimin e popullit të Serbisë dhe se jemi të turpëruar dhe kërkojmë ndjesë”.
Irida Cami