Kriza që sapo kaloi ka lënë pas një thënie “migranti është i fundit në punë dhe i pari pa punë”. Por dhe në një farë mënyre ajo ka stimuluar vetë emigrantët si edhe institucionet për të menduar zgjidhje të reja për të ardhmen. Kjo ka qenë dhe shtysa e një ankete e bërë nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale në bashkëpunim me OIM (Organizata Ndërkombëtare për Migracion), UNDP dhe me Bankën Botërore, ku u intervistuan një grup emigrantësh në vizitë në Shqipëri gjatë periudhës dhjetor 2009-janar 2010, si kampion për të përcaktuar me saktësi gjendjen ekonomike të emigrantëve shqiptarë në krizën financiare dhe ekonomike botërore.
Nga të dhënat e statistikave mbi diasporën shqiptare mësohet që në fillim të vitit 2010, regjistroheshin më shumë se 1,2 milion njerëz, ose më shumë se 25% të popullsisë shqiptare, dhe më shumë se 35% e forcës së punës me banim jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Ky konstatim ka bërë që Shqipëria të konsiderohet një “vend në lëvizje” prej kohësh. Mësohet gjithashtu që shqiptarët jashtë vendit flasin rrjedhshëm (42%) ose mjaftueshëm (52%) gjuhën e vendit pritës duke treguar një nivel të lartë të integrimit. Edhe studiuesit e migracionit shqiptar kohët e fundit kanë folur për një “pjekje të procesit të migrimit”, duke qenë se 36% të emigrantëve që jetojnë në Britani, Gjermani dhe Itali, janë shkolluar apo kanë kryer kurse formimi profesional që i ka bërë të përmirësojnë gradualisht statusin e tyre socio-ekonomik.
Nga ana e punësimit, fushat kryesore të emigrantëve shqiptarë janë ndërtimi (35%), shërbimet (21%), prodhimi ose industria (17%), ndihmesa në familje (15%) dhe bujqësia (10%). Këto të fundit u përkasin më shumë grave duke përbërë një ndarje për punë në terren sipas gjinisë. Gjithsesi, pjesa më e madhe e tyre pohon që punon nën cilësinë e një punëtori të kualifikuar, pikërisht 56% të emigrantëve që punojnë në Itali. Veçanërisht, të dhënat empirike të këtij hulumtimi tregojnë që rreth 8% e emigrantëve shqiptarë kanë themeluar biznese në vendin pritës. Këto kompani janë kryesisht në ndërtim (43%) dhe shërbimeve (29%).
Por kriza ka prekur pikërisht tregun e vendeve më të zhvilluara në botë, ku jetojnë shumica e emigrantëve shqiptarë, dhe pasojat kanë ndikuar jo vetëm në jetën e tyre por edhe mbi strukturën e të gjithë migracionit shqiptar në përgjithësi. Nga pyetjet e drejtpërdrejta mbi krizën rreth tre të katërtat e shqiptarëve pohojnë që kanë vuajtur efektet e saj nga ana ekonomike. Ata kanë përjetuar një reduktim të ditëve ose të orarit të punës prej rreth 46%, rreth 14% të tyre kanë humbur vendin e punës të të paktën një anëtari të familjes, dhe 9% prej tyre kanë humbur vendet e punës personalisht. Kjo ka bërë të mundur të përmblidhet e gjitha në formulën që përmendëm më parë dhe që u është aplikuar emigrantëve në këto vende: «migranti është i fundit në punë dhe i pari pa punë».
Nga këta 46% të emigrantëve që kanë vuajtur një përkeqësim të kushteve të tyre ekonomike dhe sociale, u është shoqëruar fakti që shumë punëdhënës preferojnë punëtorët më fleksibël (dmth, ata që bien dakord të punojnë pa kontrata të rregullta dhe pa sigurimeve shoqërore), të cilët janë më shumë emigrantë sesa punëtorë vendas.
Pikërisht nga të anketuarit në Itali, rreth 76% të emigrantëve pohojnë që në vitin 2009 kanë kursyer më pak se në vitin 2008, duke bërë që kursimet mesatare vjetore të emigrantëve shqiptarë të bien nga 10.176 në 8.988 euro në vit. Si përfundim niveli mesatar i papunësisë së emigrantëve shqiptarë në fund të vitit 2009, në të dy vendet pritëse më të mëdha, Itali dhe Greqi, ishte rreth 9%. Dhe që në Itali vetëm 61% e emigrantëve të papunë shqiptarë kanë marrë kompensimet e papunësisë (kjo ka lidhje me sektorin e gjerë informal të punëtorëve emigrantë).
Nga ana tjetër në Shqipëri dërgesat e emigrantëve kanë rëne në vitin 2008 rreth 12% nga periudha para-krizës, dhe në vitin 2009 akoma një 6,5% më shumë (sipas Bankës së Shqipërisë për 2010). Nga këto fakte lindi një ide (ose dhe frikë) në agjencitë dhe institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare që i bëri të mendonin për një rikthim masiv të emigrantëve në vendlindje, duke shtuar papunësinë dhe mos i dhënë kohë për menaxhimin e situatës.
Dhe mbi këtë bindje u mundësua kjo anketë dhe u bënë vlerësime të tjera, si për shembull ajo e INSTAT-it në fund të 2010-tës, e cila vlerësonte që 47% e emigrantëve mund të vendoste të kthehej në Shqipëri si pasojë e drejtpërdrejtë e krizës ekonomike. Sipas vlerësimit, nga këta, 28% do dëshironin të punonin në profesionin e tyre në kuadër të sektorit privat, 10% në sektorin publik dhe 62% do ishin të gatshëm të pranonin çdo punë që mund t’u ofrohej. Por që faktikisht këto të dhëna nuk u verifikuan, sidomos në shifra kaq të mëdha.
Mbetet e qartë që kriza ekonomike ka goditur rëndë xhepat e emigrantëve shqiptarë dhe ka ngjallur tek ata perspektiva të reja jetese, në vendet pritëse apo në vendlindje në një çast kur kursimet do mjaftonin një investim për një rrogë të plotë. Duhet dhe të merret parasysh një fakt që nuk u vlerësua nevojshëm, d.m.th. që shqiptarët kanë baza ekonomike të akumuluara në vite, dhe që mund të vlerësojnë një përdorim të ri të këtyre në bazë të mundësive të reja konkrete dhe të kënaqshme në vendlindje. Përndryshe emigrantët shqiptarë ashtu si edhe shumica e të tjerëve, do zgjasin qëndrimin në mërgim deri kur këto baza të plotësohen, duke e përballuar krizën me teknika kompensuese në punë.
Afërdita Shani, Firenze