Katastrofa e centralit bërthamor japonez të Fukushimës ka frenuar programin bërthamor italian. Prej mëse 20 vjetësh, në Itali nuk ekzistojnë më centrale të tillë në aktivitet. Energjia bërthamore u braktis tre vjet pas referendumit të 1987-tës, të thirrur menjëherë pas aksidentit të Çernobilit, pasojat e të cilit u ndjenë edhe këtu.
Tre vjet më parë qeveria Berlusconi ka nisur të flasë sërish për bërthamoren, duke e justifikuar zgjedhjen në këtë drejtim me dëshirën për reduktimin e ndotjes, uljen e kostos së energjisë elektrike dhe kthimin e Italisë në një vend më të pavarur ndaj vendeve të tjera që sot e furnizojnë me gaz dhe naftë.
Në Itali parashikohet ndërtimi i centraleve të reja dhe i depozitave për ruajtjen e skorieve radioaktive. Por tani, aksidenti i Fukushimës dhe shqetësimet e opinionit publik kanë shtyrë qeverinë të paralajmërojë një “pauzë reflektimi”. Qershorin e ardhshëm italianët do të mund të zgjedhin me një referendum nëse duan të bllokojnë apo jo ndërtimin e centraleve të reja. Pauza mund të kthehet kështu në një ndalim përfundimtar.