in

Miratohet projekti i selisë së re të Kuvendit

Të dhëna mbi projektin fitues austriak të kompleksit të ri të Kuvendit

Tiranë, 25 mars 2011 – Juria ndërkombëtare shpalli dje projekt fitues të kompleksit të ri parlamentar Maketin 11022 T, të paraqitur nga studio vjeneze COOPHIMELB (L) AU.
Projekti konceptohet si qendra e ardhshme e politikës së Republikës së Shqipërisë, një parlament i hapur, duke krijuar një shenjë të rëndësishme arkitekturore në një nga pjesët më të rëndësishme urbane në Tiranë. Duke kufizuar njërin skaj të aksit kryesor të qytetit, ai pozicionohet pranë institucioneve kryesore qeveritare.
Sipas ATSh-së “dizajni i projektit fitues përmban vlera themelore demokratike, si: është i hapur, transparent dhe bashkëvepron me publikun. Dhoma e Parlamentit të ri reflekton hapësirën bazë demokratike, si sundimi i fuqisë së elektoratit, duke vendosur publikun mbi pjesëtarët e zgjedhur të Kuvendit, pa i hequr të drejtën sallës së madhe, që të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndërtesës”.
Juria ndërkombëtare, e kryesuar nga arkitekti hollandez Johannes Ibelings, shpalli në vend të dytë Projektin knitT, ndërsa çmimi për vendin e tretë, iu dorezua Projektit 10345 N.
12 projektet për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar – të shpjeguara teknikisht më 14 mars, më shumë nga kryeparlamentarja Topalli, se nga arkitekti i thirrur por të cilit i hiqej fjala shpesh – qëndruan 10 ditë të ekspozuara në Kuvendin e Shqipërisë.

Elementet e ndërtesës
Një bazament i zakonshëm i ndërtesës mbledh elementet e ndryshme të saj dhe zë kryesisht pjesën veriore të zonës, duke theksuar kështu situatën e dukshme urbane në kryqëzimin e dy akseve kryesore të zonës. Me këtë strategji krijohet një hapësirë publike (shesh publik) dhe park midis Parlamentit dhe shërbimeve të Kryeministrisë.
Një shkallë publike të udhëheq nga sheshi publik në çatinë panoramike të ndërtesës kryesore (qendrore), e cila bashkon të gjithë elementet e ndryshme: bllokun e zyrave, strukturën e hyrjes dhe hall-in e parlamentit dhe lejon publikun të shikojë brenda sallës së Parlamentit edhe nga jashtë.
Ndërtesa e zyrave është mbuluar me një veshje apo lëkurë të dytë e realizuar me çelik të biruar (shpuar), i trajtuar veçanërisht për të përmirësuar performancën e ndërtesës, i lidhur me optizimin e përdorimit të dritës, pamjeve, kontrollit të diellit, mbrojtjes nga reflektimi verbues i rrezeve të diellit, izolimi termik, ventilimi natyrorë dhe mbrojtja nga zhurmat. Konfigurimi i saktë i formës së veshjes dhe i cilësisë së brimave të saj ndryshon sipas orientimit të fasadave të ndryshme kundrejt diellit.

Funksionimi

Ndërtesa kryesore kryen funksionet në dy nivele: hyrja kryesore nga pjesa veri-perëndimore e zonës krijon një zgavër konike dhe siguron akses në hall-in parlamentar për publikun, gazetarët dhe VlP-at, hyrjet e ndara nga veriu shoqërohen me recepsion dhe dhomat pritëse për to, aksesi direkt në këtë zonë është siguruar nga blloku i parkimit në anën lindore në të njëjtin nivel.
Blloku i zyrave është organizuar rreth konit qendror prej pesë nivelesh me xham të sallës së parlamentit. Niveli tre akomodon 13 dhoma takimi për komitetin parlamentar, si dhe zyra për kryetarët e tjerë që punojnë për këto pjesëtarë të komitetit. Zyrat për Kryeministrin, deputetët dhe departamente të ndryshme për administratën janë shpërndarë në katet 4 dhe 6. Niveli i fundit i bllokut të zyrave është rezervuar për hapësira për autoritete të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë si kryetari i Parlamentit, kryetarët e grupeve parlamentare etj.

Nis pajisja me pasaporta në Athinë. Së shpejti edhe në Romë e Milano

Flukset 2010: Mbërrijnë autorizimet e para